13 Tetor, 2024 - 6:33 pm
Bukuritë e Shqipërisë janë renditur mes pesë destinacioneve më magjepsëse të Europës, për tu vizituar nga gazeta e njohur franceze “Le figaro”.
Nga Lugina romantike e Rhine-it deri te fjordet e Islandës dhe vendet e mrekullueshme arkeologjike të Shqipërisë, kjo revistë rekomandon destinacionet më të bukura për të zbuluar përmes një udhëtimi me kroçerë në kontinentin tonë.
Vizitoni Shqipërinë e fshehur, një vend për t’u zbuluar dhe admiruar, shkruan gazeta franceze, e cila e cilëson këtë një eksperiencë unike.
Historia e Shqipërisë, shkruan gazeta e njohur, karakterizohet nga aventura të shumta, që nga Iliria e lashtë e deri te osmanët. Vendet e saj të mrekullueshme arkeologjike dhe atmosfera orientale në udhëkryqin e qytetërimeve emocionojnë çdo vizitor të saj.
Udhëtimi drejt Shqipërisë i lejon vizitorit të vlerësojë pasurinë historike mahnitëse të këtij vendi pothuajse të paprekur nga turizmi masiv, thuhet në artikullin që “Le Figaro” i dedikon destinacioneve më të bukura të Evropës.
Liqeni i Ohrit, trashëgimi e UNESCO-s është një vendet që rekomandohet të vizitohet në pjesën shqiptare. Ndërsa Butrintin e cilëson një vend të jashtëzakonshëm arkeologjik.
Më pas, gazeta thekson të tjera destinacione pjesë të UNESCO-s që ndodhen në Shqipëri, Beratin, Gjirokastrën, me vlera të jashtëzakonshme arkitekturore që nga periudha osmane./ KultPlus.com