9 Prill, 2022 - 4:25 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot firmëtarin, filatelistin, poliglotin, arkivistin, etnografin dhe politikanin shqiptar Lef Nosi pushkatuar nga diktatura.
Lef Nosi lindi në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877 në një familje ortodokse të lagjes së vjetër të quajtur “Kala”. Vitet e para të shkollës i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vazhdoi studimet e larta për farmaci në Athinë.
Pa mbyllur ende studimet, u kthye në Shqipëri duke u angazhuar thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë e kulturës kombëtare. Që në moshë të re, Lef Nosi kishte në zotërim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Mit’hat Frashërit. Në vitin 1908, ai mori pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908). Në vitin 1909 u zgjodh kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi shoqërinë kulturore “Afërdita”.
Një vit më vonë, themeloi në Elbasan gazetën “Tomorri”, e para gazetë në historinë e qytetit. Artikujt e botuar në këtë gazetë që karakterizoheshin nga fryma kombëtare, nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, të cilët arrestuan Lef Nosin dhe e dënuan me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim.
Në vitin 1909 ndihmoi në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Në kabinetin e Qeverisë së Vlorës me në krye Ismail Qemalin, u emërua si Ministër i Postë-Telegrafëve, ku firmosi disa nga aktet e rëndësishme të kësaj qeverie.
Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të tij, por ky fakt mbetet ende dhe sot i pasqaruar.
Në mars të vitit 1914, ishte pjesë e delegacionit që priti ardhjen e princ Vidit në Shqipëri.
Në vitin 1918 mori pjesë në qeverinë e Durrësit dhe dha një ndihmesë të posaçme në përbërje të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në jetën politike të fillim viteve 20’ në kuadrin e Federatës “Atdheu”. Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. Me largimin e Nolit, Lef Nosi u tërhoq nga politika dhe iu dedikua botimit të dokumentave me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.
Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit.
Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946.
Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./atsh/ KultPlus.com