4 Qershor, 2023 - 10:45 pm
“Përsëri n’Shkodër”, u emërtua kështu ekspozita që galeria “Oda” çeli me artistin Lekë Tasi. Autori i përket piktorëve bashkëkohës modernë shqiptarë të pas viteve ’90 në vendin tonë ndërsa në ekspozitën e tij më të fundit solli një pjesë të punimeve të tij në pikturë.
Ndonëse është 94 vjeç autori Tasi e gjen sërish forcën të shprehë mesazhe me artin e tij ndërsa frymëzimin duket se e gjen tek rrymat artistike të shek. XX, totalisht të ndryshme nga arti post modern.
Si një artist me përvojë të madhe, Lekë Tasi ka edhe një këshillë për më të rinjtë.
“Ka dhe të rinj që duhen njohur, nxitur, e për këtë duhen bërë vizita në galeritë e Europës, që të shohin art muzeal apo në galeritë”, tha ai.
Lekë Tasi e nisi jetën si muzikant ndërsa kishte pasion pikturën duke realizuar kryesisht peisazhe. Ai ka qenë pjesë e shumë ekspozitave vetjake dhe kolektive duke trajtuar tema sociale dhe politike me artin e tij./KultPlus.com