5 Mars, 2024 - 11:55 am
Nga sot, Posta e Kosovës përmes Filatelisë së saj lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e ri të pullave postare “Flora-Bimët endemike”, të realizuar në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Natyrore.
Motivet e katër pullave postare që sot emetohen në imazhe, bartin llojet e katër bimëve të rrezikuara nga zhdukja në Kosovë:
Dianthus scardicus – Karafili i Sharrit – bimë endemike që mund të gjendet në vende shkëmbore dhe me barë të zonës subalpike dhe alpike të maleve të Sharrit.
Aubrieta columnae subsp.croatica (Aubrietë e Kroacisë) – bimë endemike e Ballkanit, në Kosovë ka vetëm një popullatë të vogël, skajshmërish e rrezikuar.
Bruckenthalia spiculifolia – Brukentalia – bimë karakteristike e kullosave acidike në Bjeshkët e Sharrit dhe në Alpet Shqiptare të Kosovës.
Halacsya sendtneri (Halaçi i Sendtnerit) – bimë endemike ballkanike që rritet në kullosa vullkanike/serpentinore. Për shkak të popullatës së vogël në Kosovë bën pjesë në bimët e rrezikuara nga zhdukja.
Pullat postare dhe Zarfi i Ditës së Parë nga ky emision do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë, ndërsa koleksionistët, qytetarët dhe bizneset munden t’i blejnë ato dhe t’i përdorin në dërgesat dhe zarfet e tyre, si kujtime mbresëlënëse për më të dashurit e tyre kudo nëpër botë.
Posta e Kosovës, përmes pullave postare vazhdon të mbetet përkrahës i mbrojtjes së florës endemike dhe ekologjisë, njëherësh promovon botërisht pasuritë e mrekullueshme që ka Republika e Kosovës./ KultPlus.com