22 Maj, 2022 - 10:10 am
Nga: Yuriy Gorodnichenko (bashkautorë: Bohdan Kukharskyy, Anastassia Fedyk dhe Ilona Sologoub)
Përktheu: Agron Shala
Profesor i nderuar Chomsky,
Jemi një grup ekonomistësh akademikë ukrainas, të cilët u pikëlluan nga një sërë intervistash dhe komentesh tuaja të fundit për luftën ruse në Ukrainë. Besojmë se opinioni juaj publik, për këtë çështje, është kundërproduktiv për t’ia dhënë fundin pushtimit të pajustifikuar rus të Ukrainës dhe të gjitha vdekjeve dhe vuajtjeve që ka sjellë në vendin tonë.
Pasi u njohëm me tërësinë e intervistave tuaja për këtë çështje, vumë re disa gabime të përsëritura në linjën tuaj të argumentimit. Në vijim, dëshirojmë t’jua vëmë në dukje këto modele, së bashku me përgjigjet tona të shkurta:
Modeli #1: Mohimi i integritetit sovran të Ukrainës
Në intervistën tuaj me Jeremy Scahill-in në The Intercept më 14 prilli 2022, ju pohuat: “Fakti i çështjes është se Krimea është jashtë tryezës. Mund të mos na pëlqejë. Krimeasve me sa duket u pëlqen”. Duam ta tërheqim vëmendjen tuaj për disa fakte historike:
Së pari, aneksimi i Krimesë nga Rusia, në vitin 2014, ka shkelur Memorandumin e Budapestit (në të cilin premtoi të respektonte dhe të mbronte kufijtë e Ukrainës, përfshirë Krimenë), Traktatin për Miqësinë, Partneritetin dhe Bashkëpunimin (të cilin e nënshkroi me Ukrainën më 1997, me të njëjtat premtime) , dhe, sipas urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Së dyti, “krimeasit” nuk janë etni ose një grup koheziv njerëzish – por janë tatarët e Krimesë. Këta janë banorët indigjenë të Krimesë të cilët u dëbuan nga Stalini më 1944 (dhe mundën të ktheheshin në shtëpi vetëm pasi BRSS-ja u shpërbë) dhe u detyruan të iknin përsëri më 2014 kur Rusia e pushtoi Krimenë. Nga ata që qëndruan, dhjetëra janë persekutuar, burgosur me akuza të rreme dhe janë zhdukur, ndoshta janë të vdekur.
Së treti, nëse duke “pëlqyer” i referoheni rezultatit të “referendumit” të Krimesë më 16 mars 2014, ju lutemi vini re se ky “referendum” u mbajt nën kërcënimin e armëve dhe u shpall i pavlefshëm nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, shumica e votuesve në Krime mbështetën pavarësinë e Ukrainës më 1991.
Modeli #2: Trajtimi i Ukrainës si peng amerikan në tabelën e shahut gjeopolitik
Me dëshirë apo pa dëshirë, intervistat tuaja nënkuptojnë se ukrainasit po luftojnë me rusët sepse ShBA-ja i ka nxitur ta bëjnë këtë, se Euromaidani ndodhi për shkak se ShBA-ja u përpoq ta shkëpuste Ukrainën nga sfera e influencës ruse etj. Një qëndrim i tillë e mohon rolin e Ukrainës dhe është shuplakë për miliona ukrainas që rrezikojnë jetën për dëshirën për të jetuar në një vend të lirë. Thënë thjesht, a e keni konsideruar mundësinë se ukrainasit duan të shkëputen nga sfera e ndikimit rus për shkak të një historie gjenocidi, shtypjeje kulturore dhe mohimi të vazhdueshëm të së drejtës për vetëvendosje?
Modeli #3. Sugjerimi se Rusia është kërcënuar nga NATO
Në intervistat tuaja, jeni të etshëm ta sillni premtimin e pretenduar nga [Sekretari amerikan i Shtetit] James Baker dhe Presidenti George H.W. Bush ndaj Gorbaçovit se, nëse ai pranonte ta lejonte një Gjermani të bashkuar të rifutet në NATO, ShBA-ja do të siguronte se NATO-ja nuk do të lëvizte “asnjë centimetër drejt lindjes”. Së pari, ju lutemi vini re se aspekti historik i këtij premtimi është shumë i kontestuar nga studiuesit, megjithëse Rusia ka qenë aktive në promovimin e tij. Premisa është se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes nuk e la Putinin pa zgjidhje tjetër përveçse sulmit. Por, realiteti është ndryshe. Shtetet e Evropës Lindore u bashkuan dhe Ukraina dhe Gjeorgjia aspiruan të anëtarësoheshin në NATO, në mënyrë që të mbroheshin nga imperializmi rus. Ata kishin të drejtë në aspiratat e tyre, duke pasur parasysh se Rusia e sulmoi Gjeorgjinë më 2008 dhe Ukrainën më 2014. Për më tepër, kërkesat aktuale të Finlandës dhe të Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO erdhën si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj pushtimit të Rusisë në Ukrainë, në përputhje me zgjerimin e NATO-s që ishte pasojë e imperializmit rus dhe jo anasjelltas.
Përveç kësaj, nuk pajtohemi me nocionin se kombet sovrane nuk duhet të bëjnë aleanca të bazuara në vullnetin e popullit, për shkak të premtimeve të diskutueshme verbale të bëra nga James Baker dhe George H.W. Bush me Gorbaçovin.
Modeli #4. Deklarata se ShBA-ja nuk është më e mirë se Rusia
Teksa ju pa dyshim e quani pushtimin rus të Ukrainës si “krim lufte”, na duket se nuk mund ta bëni këtë pa i përmendur, në të njëjtën mënyrë, të gjitha mizoritë e kaluara të kryera nga ShBA-ja jashtë vendit (p.sh., në Irak ose në Afganistan) dhe, në fund të fundit, duke e shpenzuar shumicën e kohës duke diskutuar për këtë të fundit. Si ekonomistë, nuk jemi në gjendje t’i korrigjojmë metaforat tuaja historike dhe, kjo është e panevojshme të thuhet, ne i dënojmë vrasjet e pajustifikuara të civilëve nga çdo pushtet në të kaluarën. Megjithatë, mos dalja e Putinit – për akuzat për krime lufte – në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, vetëm për shkak se ndonjë lideri i kaluar nuk kishte marrë trajtim të ngjashëm, do të ishte përfundimi i gabuar që nxirret nga cilado analogji historike. Për dallim, ne argumentojmë se ndjekja penale e Putinit, për krimet e luftës që po kryhen qëllimisht në Ukrainë, do ta krijonte një precedent ndërkombëtar për liderët botërorë që përpiqen ta bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen.
Modeli #5. Zbardhja e qëllimeve të Putinit për pushtimin e Ukrainës
Në intervistat tuaja, bëni përpjekje të mëdha për t’i racionalizuar qëllimet e Putinit për “çmilitarizimin” dhe “neutralizimin” e Ukrainës. Ju lutemi, vini re se si në fjalimin e tij televiziv të 24 shkurtit 2022, duke shënuar fillimin e luftës, qëllimi i deklaruar fjalë për fjalë nga Putini për këtë “operacion ushtarak” është “denazifikimi” i Ukrainës. Ky koncept bazohet në artikullin e tij të gjatë pseudo-historik të korrikut 2021, duke mohuar ekzistencën e Ukrainës dhe duke pretenduar se ukrainasit nuk ishin komb. Siç shtjellohet në “manualin e denazifikimit” të publikuar nga agjencia zyrtare e shtypit ruse, RIA Novosti, një “nazist” është thjesht një qenie njerëzore që vetë-identifikohet si ukrainas, krijimi i një shteti ukrainas tridhjetë vjet më parë ishte “nazifikimi i Ukrainës”, dhe çdo përpjekje për ta ndërtuar një shtet të tillë duhet të jetë akt “nazist”. Sipas këtij manuali të gjenocidit, denazifikimi nënkupton disfatë ushtarake, spastrim dhe “riedukim” në nivel të tërë popullsisë. “Demilitarizimi” dhe “neutralizimi” nënkuptojnë të njëjtin qëllim – Ukraina pa armë nuk do të jetë në gjendje të mbrohet dhe Rusia do ta arrijë qëllimin e saj afatgjatë për ta shkatërruar Ukrainën.
Modeli #6. Supozimi se Putini është i interesuar për zgjidhje diplomatike
Të gjithë ne shpresonim shumë për armëpushim dhe për një zgjidhje të negociuar që do të mund t’i kishte shpëtuar shumë jetë njerëzish. Megjithatë, na duket absurde se si ju vazhdimisht fajin për mos arritjen e kësaj zgjidhjeje ia ngarkoni Ukrainës (që nuk ia ofron Putinit ndonjë “kapelë shpëtimi”), ose ShBA-së (për gjoja këmbënguljen për zgjidhjen ushtarake dhe jo diplomatike), në vend të agresorit aktual i cili ka bombarduar vazhdimisht dhe qëllimisht civilët, maternitetet, spitalet dhe korridoret humanitare pikërisht gjatë atyre “negociatave”. Duke pasur parasysh retorikën përshkallëzuese (cituar më lart) të medias shtetërore ruse, qëllimi i Rusisë është fshirja dhe nënshtrimi i Ukrainës, jo “zgjidhja diplomatike”.
Modeli #7. Mbështetja e idesë se t’i nënshtrohesh kërkesave ruse është mënyra për ta shmangur luftën bërthamore
Që nga pushtimi rus, Ukraina jeton nën kërcënimin e vazhdueshëm bërthamor, jo vetëm për shkak të të qenit objektiv kryesor për raketat bërthamore ruse, por edhe për shkak të pushtimit rus të termocentraleve bërthamore të Ukrainës.
Por, cilat janë alternativat për të luftuar për liri? Dorëzimi pa kushte dhe më pas eliminimi i ukrainasve nga faqja e dheut (shih më lart)? A e keni pyetur ndonjëherë veten se pse Presidenti Zelenskyy, me mbështetjen dërrmuese të popullit ukrainas, po u lutet liderëve perëndimorë që të ofrojnë armë të rënda, pavarësisht kërcënimit të mundshëm të përshkallëzimit bërthamor? Përgjigja për këtë pyetje nuk është “për shkak të Xhaxhait Sam”, por për shkak të faktit se krimet ruse të luftës në Buça dhe në shumë qytete dhe në fshatra tjera të Ukrainës, kanë treguar se të jetosh nën pushtimin rus është “Ferr në tokë”, i prekshëm, që tani po ndodh e që kërkon veprim të menjëhershëm.
Me sa duket, çdo lëshim ndaj Rusisë nuk do ta zvogëlojë probabilitetin e një lufte bërthamore, por do të çojë në përshkallëzim. Nëse Ukraina bie, Rusia mund të sulmojë vendet tjera (Moldavia, Gjeorgjia, Kazakistani, Finlanda ose Suedia) dhe gjithashtu mund ta përdorë shantazhin e saj bërthamor për ta shtyrë pjesën tjetër të Evropës në nënshtrim. Dhe, Rusia nuk është e vetmja fuqi bërthamore në botë. Vendet tjera, si Kina, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut veç po shikojnë. Tash, paramendojeni se çfarë do të ndodhte nëse mësojnë se fuqitë bërthamore mund të marrin gjithçka që duan duke e përdorur shantazhin bërthamor.
Profesor Chomsky, shpresojmë se do t’i merrni parasysh faktet dhe do t’i rivlerësoni përfundimet tuaja. Nëse vërtet e vlerësoni jetën e ukrainasve, siç pretendoni, me mirësi do të donim t’ju kërkojmë të përmbaheni nga shtimi i karburantit të mëtejshëm në makinën ruse të luftës, duke përhapur pikëpamje shumë të ngjashme me propagandën ruse.
Nëse dëshironi të angazhoheni më tej në ndonjë nga pikat e lartpërmendura, jemi gjithmonë të hapur për diskutim.
Përshëndetje të përzemërta
Bohdan Kukharskyy, Universiteti i Qytetit të Nju-Jorkut
Anastassia Fedyk, Universiteti i Kalifornisë, Berklli
Yuriy Gorodnichenko, Universiteti i Kalifornisë, Berklli
Ilona Sologoub, Shkolla Ekonomike e Kievit dhe OJQ-ja VoxUkraine./ KultPlus.com