26 Maj, 2023 - 5:16 pm
Këtu fillon “brumi” i vërtetë i veprave letrare, një epokë mjaft e bujshme, romantizmi letrar filloi të na dhurojë letërsinë e vertetë mbarëbotërore por edhe atë shqipe.
Romantizmi si epokë filloi të shfaqet në mes shekujve XVII-XIX, në Evropë, si një lëvizje e re kulturore si në pikturë, art, letërsi e muzikë. Në këtë periudhë fillojnë të shfaqen ndjenjat, imagjinata e njerëzve, që gjë nuk e hasim në periudhat paraprake. Në letërsi shkrimtarët romantikë botërorë trajtuan tematika të ndryshme dhe kushtuan rëndësi të natyrës, popullit, vendit të tyre dhe me një rëndësi më të madhe kushtuar dashurisë.
Në epokën e romantizmit shqiptar fillon epoka e lavdishme e ringjalljes. Shkrimtarët shqiptarë të kësaj periudhe si: De Rada, Naim Frashëri, Pashko Vasa, Zef Skiroi, Zef Serembe, Sami Frashëri e shumë të tjerë përfaqësojnë këtë periudhë të lavdishme letrare shqipe me idealizmat e tyre duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për atdhedashurinë. Dashuria ndaj vashës dhe atdhedashuria janë dy tematika që i karakterizojnë çdo njërin nga këta autorë.
Te romantikët botërorë, letërsia e tyre ishte vetëm për qëllime romantike mes çifteve. Romantikët shqiptarë në mënyrë pothuajse të përkryer bëjnë një ndërlidhje të dashurisë dhe atdheut, duke iu shtuar edhe tipare të tjera estetike si natyra, miti, kulti e ndonjëherë të religjionit. Përmes veprave të tyre marrim mesazhe të forta si: idealizmi kombëtar, përspektiva për të ardhmen, dashuria si një vlerë e pamohueshme, kritikë për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhej populli shqiptar, thirrje për vetëdijësim kombëtar dhe pavarësim nga të huajit.
Disa veprat më të njohura të nga romantikët shqiptarë të kësaj periudhe janë:
“Këngët e Millosaos”, “Parimet e estetikës”, “Këngët e Serafina Topisë”- De Rada
“ Istori e Skënderbeut”, “ Bagëti e bujqësija”, “Lulet e verësë”- Naim Frashëri
“ Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”- Sami Frashëri
“ E mjera Shqypni” – Pashko Vasa…
Në këtë periudhë të lavdishme kalohet nga periudhat paraprake me funksion fetar dhe përkthime të shkrimeve të shenjta. Këtu çdo gjë pëson ringjallje dhe tani letërsia shqipe merr një hap të rëndësishëm në zhvillimin e atdheut dhe në ndryshimin e historisë të saj kombëtare, pas epokës së lavdishme heroike të Skënderbeut, pasohet me një epokë të lavdishme letrare shqipe nga romantizmi shqiptar./ KultPlus.com