7 Tetor, 2022 - 2:58 pm
“E dashtuna Angje e fëmijë!
Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.
Mos u mërzit për mue vetëm m’i rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue.
Borgj i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.
E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë.
Angje!
Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mramë të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit.
E dashtuna Angje!
Të lutem me m’i ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.
Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me mi çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.
Marku.”
Mark Shllaku, mësues shkodran, ishte i dënuar me pushkatim për agjitacion dhe propagandë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Ende sot e kësaj dite eshtrat e tij nuk gjenden. Letra e tij drejtuar familjarëve, e shkruar dy ditë para pushkatimit. Juli, e bija e Markut tregoi për historinë e letrës në dokumentarin “Të zhdukurit”.
Kur Marku mësoi për pushkatimin, ai vendosi ti shkruajë një letër familjarëve të tij (bashkëshortes Angje dhe dy vajzave të tij) duke u përpjekur të paramendonte vendin ku do ta ekzekutonin dhe varrosnin, bazuar në pushkatimet e shokëve të tij. Kur një i dënuar me pushkatim ekzekutohej, familja nuk kishte asnjë të drejtë të merrte trupin e tij e asnjë informacion për vendin ku do të varrosej, ndaj Marku u përpoq të linte adresën e vendit të pushkatimit në letër. Gruaja dhe vajza e vizituan disa ditë përpara pushkatimit dhe në këtë vizitë Marku i komunikoi se letrën me informacione të rëndësishme do t’ia linte midis sendeve personale. Informacioni ishte i pasaktë dhe familjarët e tij ende vijojnë kërkimin për eshtrat e tij 70 vite pas pushkatimit.
Marku ishte vetëm 31 vjeç kur u dënua me pushkatim. / KultPlus.com