Letra e princit Philip drejtuar Dianës: Nuk mund ta imagjinoj dikë me logjikë të të lërë ty për Camillën

16 Prill, 2021 - 2:40 pm

Princi Philip, i cili u nda nga jeta më 9 prill në moshën 99-vjeçare, ka pasur një marrëdhënie të veçantë me Princeshë Dianën, saqë kjo e fundit në letrat që shkëmbenin e quante “baba i dashur”.

Duka i Edinburgut është përpjekur shumë të shpëtonte martesën e Charlesit me Dianën.

Aso kohe, shtypi britanik shkruante se duke qenë se Diana kishte rrëmbyer zemrat e publikut, Charlesi ishte xheloz për këtë dhe nuk e ka ndihmuar aspak në depresionin pas lindjes dhe buliminë.

Në vend që ta ndihmonte, ai hidhej në krahët e Camillës (bashkëshortes së sotme). Nga ana tjetër, miqtë e Charlesit thoshin se Diana donte vetëm titullin mbretëror dhe se kishte një lidhje jashtëmartesore, informon abcnews.al.

Për të ndaluar këtë skandal mbretërore, Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Philip telefonojnë çiftin duke i kërkuar të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në Windsor Castle. Charlesi ishte i qetë, ndërsa princeshë Diana këmbëngulte për ndarje. Mbretëresha dhe burri i saj këshilluan çiftin të vazhdonin me një kompromis për të mirën e tyre dhe të të djemve të tyre.

Mbretëresha propozoi që të takohej përsëri të nesërmen, por Diana  preferoi të kthehej në Pallatin Kensington.  

Në këtë moment, princi Philip nisi t’i shkruante një seri letrash nuses së tij, për ta qetësuar.

Ai e qortoi për injorimin e takimit të dytë me mbretëreshën dhe përmes letrave u përpoq ta bënte të shihte gabimin e saj. Ai i shkroi hapur për “problemin Camilla”, dhe që nuk ishte kurrsesi dakord për lidhjen jashtëmartesore të djalit të tij.

Sapo mbërritën letrat e vjehrrit të saj, mbretëresha vrapoi për t’i hapur dhe për t’i lexuar me dy mikeshat e saj, Rosa Monkton, drejtoreshë në Tiffany në Londër dhe Lucia Flecca de Lima, gruaja e ambasadorit brazilian.

Lucia tha për atë periudhë: “Kur mbërritën letrat, hipëm në makinë dhe shkuam në ambasadë, u ulëm së bashku dhe lexuam çdo shkronjë”.

Në një nga letrat për nusen e tij, Duka i Edinburgut shkruante: “Nuk aprovojmë që asnjëri nga ju të ketë lidhje jashtëmartesore. Charles, në një pozicion të tillë, u tregua budalla duke rrezikuar gjithçka për Camillën. Ne kurrë nuk mund ta imagjinonim se do të të linte për të. Askush me logjikë nuk mund të të lërë ty për Camillën. Një gjë e tillë kurrë nuk ka kaluar në mendjet tona”.

Letrat e princit Philip drejtuar “Mbretëreshës së Zemrave” filluar nga qershori i vitit 1992 dhe vazhduan deri në dhjetor të atij viti. Duka i Edinburgut i shkruante nuses së tij çdo ditë dhe ajo i përgjigjej duke e quajtur atë “baba i dashur”. / KultPlus.com

Të ngjajshme