10 Maj, 2024 - 4:28 pm
Shumë i dashtuni Z. Sabri Hamiti,
Më fal se nuk i përdora titujt akademikë e shkencorë se më duket se mund e ngrijnë sadopak ngroftësinë pothuej familjare t’asaj miqsie të shtrejtë që, nganjiherë në jetë, lidhet e fortë që me sinqeritetin e takimit të parë.
Mbasi pjesmarrja juej në Komisjonin për rindërtimin e vorrit të Fishtës kje e pamundun ndër seancat e mavonëshme, më mbetet barrë mue që t’u përmbledhi shkurtazi zhvillimin e mavonëshëm.
Siç patem vendosë në mbledhjen e parë, Z. Gjergj Zheji i a paraqiti Ministrit të Kulturës, Z. Teodor Laço, projektet dhe kerkesat tona për rindërtimin e vorrit. Z. Ministri i priti mirë dhe bani shumë premtime për ndima konkrete. Ndërkaq filluen të ndigjohen zane që pyetshin: ky komisjon çfarë asht? shtetnor apo privat? mbasi nuk asht shtetnor, çfarë fuqie ka ky? dhe pse t’i përgjegjemi kerkesave? Nga këto u kuptue që në ditët e para se nuk do të bahej ai filmi dokumenar i kërkuem prej nesh.
Edhe për preventivat dergue Ministrisë së Kulturës, që kapshin Shumen 15.000 – USD. Tue kenë se kjo shumë nuk zgjidhte asnji problem tonin dhe qesharake për nji shtet, nuk e pranuen. Nji mbledhje e komisjonit, në ketë rast, të xanun papritmas, vendosi që të ju sjellshim dashamirve shkodranë, mbasi reduktuen përgjysë programin simbas fjalës së popullit: “shtrij kambët sa të kesh jorganin”. Gjetëm perkrahjen e popullit dhe të Bashkisë së Shkodrës, por tashma ishim vonë, se populli synonte deri atje që t’i naltonte poetit nji monument bronxi. Ndërkaq u realizue nji vorr i thjeshtë i përbamë nga nji kryq hekuri e dy pllaka graniti të zi, ashtu siç i ka hije nji fratit françeskan.
Maska e fëtyrës së tij prej allçije u derdh në bronx, ndersa për ato pak eshtna të dorës së tij skultori Ferit Kola punoi nji sarkofag artistik bakrit.
Mbas funksjoneve fetare u krye varrimi. Mbasdreke në Teatrin Migjeni (o ironi e kulturës shqiptare!) u dha nji mbramje letrare artistike. Kje e bukur. Fjalen e rastit e mbajti Aureli e mbas tij foli P. Danjel Gjeçaj (Pal Dukagjini). Në fund Z. David Luka lexoi përshëndetjen tuej e cila u prit me aq duartrokitje sa nuk ta merr mendja.
Mund thomi se i gjithë shtypi shqiptar ndej shurdhë e memec në ketë rasë. As Perfaqsia e Kosovës nuk u gjet e pranishme. Në këtë funeral nuk muer pjesë asnji prej atyne që quhen dhe e mbajnë veten shkrimtar: si rrjedhim logjik dalin dy konkluzione: o ata nuk e mbajnë Fishten shkrimtar ose ata nuk e ndiejn veten shkrimtarë. Emisjoni televiziv u dha vonë e me ngut, por vazhdon jehona e tij. Ma e randësishmja u realizue: nji numër i veçantë i Hyllit të Dritës prej 300 faqesh me artikujt ma të mirë te ktyne pesë vjetve. Mund thomi se patem sukses.
Po perfundoj tue u dergue përshëndetjet e zjarrta me shpresë se do të shifemi kur të promovohen veprat e Fishtës në Prishtinë. Me dashuni vllaznore
P. Zef Pllumi
Tiranë, 14-1-1997./KultPlus.com