29 Tetor, 2019 - 10:30 pm
“Je e mrekullueshme. Këtë frazë e kam përsëritur aq herë gjatë këtyre 72 orëve që kur lindi djali ynë, sa më është bërë gati-gati rutinë. Duket sikur kur e thua shpesh, do ta humbasë kuptimin; se tingujt e rrokjeve do të ngatërrohen, se do të kthehet në një pakuptimshmëri të çuditshme, si kur e përsërit një fjalë 100 herë për të provuar artikulimin.
E dija që do të ishe e mrekullueshme që në momentin që të njoha. Forca dhe aftësia jote për t’u përshtatur vazhdojnë të më mahnitin. E di që do të rrotullosh sytë kur ta lexosh këtë, por ti më frymëzon. Ndonjëherë mahnitem thjesht nga mënyra si ia del të rrish me mua.
Më ke mahnitur teksa në këtë marrëdhënie, rriteshim të dy pak nga pak. Më mahnite kur po planifikonim dasmën tonë. Dhe që atëherë, më ke mahnitur çdo herë e më shumë. Këtë e besoj plotësisht.
E besova edhe kur po përballoje dhembjet e lindjes (edhe pse me siguri, nuk të ndihmoi shumë). E besova kur kalove 13 orë në pritje për të lindur. E besova kur doktorët të thanë se kishe nevojë për prerje cezariane.
E besova kur ti këmbëngulje se nuk kishe frikë, dhe kur po përpiqeshe ta pranoje idenë se të lajmëruan për operacionin vetëm një orë përpara. E besova kur të shtrëngova dorën gjatë operacionit dhe ti mbaje qëndrim prej guximtareje, për një orë të tërë.
E besova kur për herë të parë, sytë e mi panë djalin tonë, dhe i thanë: “je i mrekullueshëm”. E besova kur ti i dhe djalit tonë puthjen e parë në faqe, ndërsa ti ishe në mes të operacionit. E besova kur mu desh të të lija që ata t’ju bënin analizat, ty dhe të porsalindurit tonë.
E besova kur ti e more veten, kur e mbajte për herë të parë në krahë, dhe fillove të kujdeseshe për të. Ishte me sekonda i vogël, dhe ti e vure shëndetin e tij para tëndit.
E besova kur ti këmbëngule që unë të shtrihesha me ju, pavarësisht dhembjeve që kishe, që ne ta përjetonim bashkë këtë emocion. E besova, kur ti the fjalën familje për herë të parë.
Tani, e besoj sa herë djali ynë qan dhe sapo ti e merr në krahë, qetësohet. Mendoj sesa i mrekullueshëm është djali ynë, sa herë hap ato sytë e tij dhe më vëzhgon fytyrën.
Ke qenë e mrekullueshme gjatë gjithë këtij procesi… një proces kur për nëntë muaj, unë isha veçse spektator, dhe pastaj kërkova titullin e babait vetëm pasi e gjitha kishte mbaruar. E di shumë mirë sa me fat jam në këtë aspekt dhe se, pavarësisht sa të thjeshtë e bëre të dukej, shtatzënia, dhembjet e lindjes dhe lindja janë një vështirësi e madhe fizike dhe emocionale.
Megjithatë, nga mënyra si ti e shikon djalin tonë, unë e di se ti do ta bëje dhjetëra herë nga e para, pa e vënë në diskutim. Është shikimi që thotë: “je i mrekullueshëm” edhe pse ti, duke mos qenë kaq përsëritëse sa unë, do të zgjidhje një fjalë tjetër për ta përshkruar.
Është e vështirë t’ia shpjegosh lindjen e një fëmije dhe kalimin në të qenit prind dikujt, që nuk e ka përjetuar. (Më vjen në mend fjala “e mrekullueshme”…) Por edhe pse çdo ditë me mijëra njerëz nëpër botë e përjetojnë, prapë është diçka kaq thellësisht personale.
Ky është fëmija ynë. Ky është gëzimi ynë. Dhe kur ai lindi, në këtë botë e pritëm ne. Ne jemi ata që mbushemi me një dashuri të tejskajshme, sa herë e shikojmë. Edhe të tjerët kanë fëmijë, edhe të tjerët i duan, por askush nuk ka këtë që kemi ne. Askush nuk të ka ty.
Dhe unë, jam kaq pafundësisht mirënjohës që të kam patur në krahë, gjatë gjithë kësaj kohe (edhe pse kur flasim për shtatzëni, isha unë në krahun tënd).
Jam kaq pafundësisht mirënjohës që e bëra këtë rrugëtim me ty; që të pashë të shndërroheshe në mama kaq shpejt, kaq mençurisht; që të pashë të luftoje me gjithë dhembjet, që të siguroheshe që djali ynë po ushqehej, po vëzhgohej, që po rrethohej me dashuri.
Tashmë po mësohem ta them: “je e mrekullueshme”, gjatë gjithë kohës. E di që ti do të më japësh arsye ta them çdo ditë. E di se nuk do të lodhem kurrë duke e thënë dhe e di se nuk do ta humbasë kurrë, kurrë kuptimin”. Filozofia.Al /KultPlus.com