“Let’s Go” shpërfaqë dhimbjen shqiptare, migrimin

25 Nëntor, 2019 - 1:10 pm

Qendrim Badalli

Një tapet po mbështillej nga dy anët. Kur mbështjellja përfundoi, tapeti u zhvendos në një hapësirë tjetër të skenës ku ai u shtrua siç ishte më parë. Zhvendosja e tapetit simbolizonte zhvendosjen e jetës nga një vend në vendin tjetër. Perfomanca mbi tapetin tashmë të zhvendosur ishte e ndryshueshme, herë përcillej me gjendje të qetë emocionale dhe herë me gjendje të tërbuar. Sikur shpreheshin sfidat e vendit të ri, sfidat e ikjes, shkruan KultPlus.com

Shfaqja e baletit “ Let’s Go”” nga koreografi Gjergj Prevazi si dhe dy performuesit Fjorald Doci dhe Robert Nuha, që u dha së fundi në Teatrin Kombëtar të Kosovës , shpërfaqë ikjen e të rinjve, si sfidë e shoqërisë dhe shtetit tonë, ku i kanë mjaftuar dy kërcimtarëve për të përcjellë tek audienca idenë e një rruge të re.

Pasi shfaqja mbaroi, Fjorald Doci, Robert Nuha si dhe Gjergj Prevazi të ulur në fillim të skenës kanë zhvilluar një bashkëbisedim të hapur me të gjithë të pranishmit aty.

Prevazi, tregoi për arsyen se përse shfaqja ishte aq abstrakte, meqë mesazhi nuk përcillej përmes gjuhës verbale por asaj fizike.

“Kjo është një nga arsyet në fakt për të sjell diçka që jo zakonisht ju e shikoni. Është një qasje pa narracion, pa tregim, por është kalim gjendjesh emocionale”, ka thënë Prevazi.

Tutje, Prevazi ka folur më gjerësisht rreth mesazhit të kësaj shfaqjeje si dhe natyrës së përpjekjeve të tyre për bartjen e mesazhit tek publiku.

“Ne e njohim shumë mirë se çfarë është për ne emigracioni dhe fatkeqësisht ne vazhdojmë të jemi një komb që duam të ikim, për  arsyet që gjithë i njohim, por dhe ikja në fakt nuk është një zgjidhje. Në këtë kuptim, ka tregime pafund, ka shkrime nëpër portale, nëpër gazeta, ka filma, por ne vijmë me një gjuhë tjetër, vijmë me gjuhën tonë, me një gjuhë në pamje të parë më abstrakte, por që tenton të paktën të hyj thellë në gjendjen emocionale të njeriut pa e shpjeguar me fjalë”.

Prevazi, tregoi edhe për domethënien e tapetit, mjetit kryesor që e kishin në skenë performuesit.

“Sfida e njeriut është kudo, si këtu si atje, tapeti që patë është bartja e rrugës mbi kurriz, e udhëtimit, por edhe pesha e vetvetes”, është thënë për këtë shfaqje.

Ndërsa, Robert Nuha, njëri nga performuesit e kësaj shfaqjeje, tregoi për dy sfidat qe i ka pasur për këtë performancë.


“Mendoj se çdo shfaqe është sfidë në vete, kjo ka qenë pak më ndryshe, sepse fizikisht është dërmuese dhe e dyta sepse ka qenë e vështirë që me pak mjete me shpreh shumë, dhe jemi munduar me qenë sa më modest, me fol pak por me shpreh shumë gjëra”.

Shfaqja e baletit “Let’s Go” më herët është dhënë edhe në skena ndërkombëtare. /KultPlus.com




Të ngjajshme