27 Shkurt, 2023 - 2:32 pm
Në shënim të muajit të Historisë Zezake, këtë të martë me datë 28 shkurt do të diskutohet kapitulli i dytë “Feminizimi” i librit “Abolicion. Feminizëm. Tani” nga mendimtaret dhe aktivistet Angela Y. Davis, Gina Dent, Erica Meiners dhe Beth Richie, përcjell KultPlus.
Në këtë kapitull, autoret ritheksojnë edhe njëherë rëndësinë e pashoq të feminizmit abolicionist në çrrënjosjen e sistemeve shtypëse. Duke ofruar shembuj të ndryshëm të organizimeve politike, autoret kritikojnë ato organizime të cilat e konsiderojnë shtetin dhe sistemin e burgosjes si aleat në luftën kundër dhunës, gjithmonë duke insistuar se një botë më e drejtë dhe e sigurtë është e mundur vetëm nëse mjetet tona politike kundër dhunës janë radikale.
Autoret gjithashtu prezantojnë një ndërlidhje midis dhunës së ushtruar nga shteti dhe dhunës që zhvillohet në marrëdhënie intime, midis burgjeve dhe kontrollit mbrenda familjeve dhe midis organizimeve lokale e globale.
Diskutimi do të mbahet në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare duke filluar nga ora 17:30. / KultPlus.com