11 Dhjetor, 2024 - 2:12 pm
Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë ka startuar në Lezhë, duke sjellë për edicionin XIII të tij një përvojë të pasur kulturore dhe artistike.
Në skenën e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”, për dy netë radhazi, publiku do të shijojë interpretime magjike nga rapsodë dhe instrumentistë të moshave të ndryshme.
Skena e Pallatit të Kulturës u vesh mbrëmjen e djeshme nga kostumet tradicionale shumëngjyrëshe që pasqyrojnë larminë kulturore shqiptare, ndërsa rapsodët përcollën melodi autentike, që rrëfejnë historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Ky festival organizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës, duke treguar angazhimin për promovimin e vlerave të trashëgimisë folklorike shqiptare.
Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë synon promovimin e identitetit, traditës dhe kulturës shqiptare./atsh/KultPlus.com