Liberation për Gjon Milin në vitin 1946: Fotografi më i madh në botë është në Paris

5 Maj, 2022 - 12:59 pm

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Maj 2022

“Libération” ka botuar, të enjten e 26 shtatorit 1946, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me ardhjen e bujshme të Gjon Milit në Paris, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fotografi më i madh në botë është në Paris

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin të gjithë: Mili, Gjon Mili, është fotografi më i mirë në planet; 6 East, 23 Rd Street në Nju Jork, ai ka studion më të madhe dhe më moderne në botë.

Dhe brenda pak ditësh, të gjithë fotografët e Parisit do të mund të zbulojnë në Galerie du Bac, ku, nën kujdesin e Shërbimeve Inteligjente Franceze në SHBA, do të ekspozojë veprat e tij, një teknikë krejtësisht e panjohur për kontinentin tonë.

Mili, i cili mbërriti në Paris pak ditë më parë me 250 kilogramë pajisje për të depërtuar në misteret e Konferencës së Luksemburgut, do t’u shpjegojë me kënaqësi sistemin e tij.

— Jeni fotograf prej kohësh ? e pyetëm Gjon Milin që na priti me dashamirësi në zyrat e kolegut tonë të “Life”.

— Unë jam inxhinier elektrik.

Pikërisht për të mësuar elektricitetin, në fakt, ky shqiptar, pasi kishte mësuar frëngjisht në Bukuresht, shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ishte ende, në vitin 1939, vetëm një fotograf amator.

Gjatë luftës, këshilltar në “Laboratorin e të dhënave teknike – Technical Data Laboratory”, ka punuar veçanërisht në studimin e predhave. Falë sistemit të tij, ai ka bërë të mundur, nëpërmjet studimit të kujdesshëm të lëvizjeve të ecjes, përmirësimin e mëtejshëm të këmbëve të artikuluara ortopedike.

I vetmi fotograf zyrtar i Konferencës së San Franciskos, ai thjesht, pa blicet e llambave të tij që t’i shqetësonin debatet e tyre, fotografoi të gjithë të mëdhenjtë e kësaj bote. Në Luksemburg pajisjet e tij kanë bërë bujë dhe ai ende nuk ka marrë të gjitha lehtësitë që dëshironte. Kështu ai vërtitet rreth Montmartrit (Montmartre). Bretanja (Bretagne) dhe Pirenejet (Pyrénées) e tundojnë.

Ai kërkon një studio në Paris dhe nëse e gjen do të kthehet çdo vit :

— Ka kaq shumë gjëra të ëmbla në Francë sa mund të bësh gjëra të mira atje.

Teknika e tij? Ju thashë, ai është një inxhinier elektrik.

Rezultatet ? Për sa i përket rezultateve: nuk dimë dëshmitar më të mirë se këto tri foto, me firmën e Milit, dhe që jemi të parët në shtypin francez që i publikojmë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Foto 1 : Gjon Mili arriti, në një pamje të vetme, të kapte lëvizjen me aq saktësi sa kinemaja. Gjestet e kësaj vajze të vogël duke kërcyer me litar e mbajnë (tërheqin) vëmendjen si një vepër arti.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Foto 2 : Vini re pozën e këmbës së djathtë të njeriut që shihet përballë; syri juaj përfundon lëvizjen e nisur.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Foto 3 : Sapo i është hedhur një gotë ujë në fytyrë kësaj gruaje; ne tundohemi ta ndihmojmë të fshihet

https://www.darsiani.com/la-gazette/liberation-per-gjon-milin-ne-1946-fotografi-me-i-madh-ne-bote-eshte-ne-paris/

Të ngjajshme