24 Prill, 2025 - 8:31 pm
Në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, i cili po zhvillohet në Prishtinë, u nderua akademike Myzafere Limani me çmimin për “Veprën më të mirë studimore”. Limani u vlerësua maksimalisht për veprën“Akustika, të folurit dhe muzika” me motivacionin: “me një aparat matematikor relativisht të thjeshtësuar, libri paraqet burim të pasur dhe të besueshëm të informacioneve edhe për studiuesit dhe ekspertët e fushave të tjera që ndërlidhen me akustikën, sinjalet e të folurit dhe muzikën”.
“Jam vërtet shumë e lumtur që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, si edhe të dyja akademitë, e kanë vlerësuar librin shkencor në përgjithësi e posaçërisht një libër të veçantë siç është ky libër për akustikën, të folurin dhe muzikën. Unë besoj që një shpërblim i tillë do të jetë motivim edhe për të tjerë që të vazhdojnë me botimin e librave shkencorë cilësorë. Kjo më bën të lumtur sepse është vlerësuar puna ime shumëvjeçare në këtë fushë”, u shpreh akademike Myzafere Limani.
Në ndarjen e çmimeve ishin të pranishëm kryetarët e dy akademive, asaj të Tiranës dhe të Prishtinës, akad. Skënder Gjinushi dhe akad. Mehmet Kraja, si edhe kreu i QKLL, Alda Bardhyli.
Edicioni i katërt i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor u hap dje, në Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës dhe do të vijojë deri më 25 prill.
Ky panair është një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe realizohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Nisur edhe nga tri edicionet e mëparshme të panairit, panairi shërben për ta nxjerrë më në pah botën akademike, shkencore shqiptare përmes botimeve, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë pasur vëmendjen e duhur publike./atsh/KultPlus.com