Libri shkollor francez sulmet e 11 shtatorit i nxjerr të orkestruara nga CIA

23 Janar, 2020 - 3:45 pm

Një shtëpi botuese franceze ka kërkuar falje për një libër shkollor ku sugjerohej se sulmet e 11 Shtatorit 2001 në SHBA ishin orkestruar nga CIA.

Libri universitar i titulluar “Historia e shpejtë e shekullit XX” është publikuar nëntorin që shkoi dhe përmbante teori të pabaza konspiracioni, por pretendimet e faqes 204 u bënë shpejt virale me mediat sociale kur u pikasën nga bija e një mësueseje që e kishte blerë.

Duke diskutuar mbi grupin xhihadist Al Kaeda, libri thotë: “Kjo ngjarje globale – pa dyshim e orkestruar nga (shërbimet sekrete të) CIA për të imponuar influencën amerikane në Lindjen e Mesme – goditi simbolet e fuqisë amerikane në territorin e saj.”

Më 11 shtator 2001, avionë pasagjerësh të marrë peng goditën Qendrën Botërore tregtare në Nju Jork dhe ndërtesën e Pentagon në Uashington, duke vrarë rreth 3 000 njerëz të pafajshëm.

Por, megjithëse grupi terrorist al-Kaeda, i drejtuar nga kreu i lig Osama Bin Laden, mori përgjegjësinë për sulmet, teori të sëmura konspirative vijojnë të pretendojnë se kjo ishte një “punë e brendshme”.

Libri francez në fjalë është shkruar nga Jean-Pierre Rocher, mësues historie e gjeografie.

Shtëpia botuese Ellipses tha se autori dëshironte të hiqte pretendimin, dhe një korrektim do të shtohet në versionet ‘online’.

Në faqen e saj të internetit kompania kërkonte ndjesë.
“Kjo frazë që i bën jehonë teorive të konspiracionit pa baza faktike nuk duhet të ishte përfshirë kurrë në punim”, thuhej në të. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Të ngjajshme