30 Mars, 2025 - 10:00 am
Liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë uruar qytetarët e vendit për festën e Fitër Bajramit, me mesazhe për mirësi dhe tolerancë.
Myslimanët në Kosovë dhe në mbarë botën festojnë të dielën e 30 marsit Fitër Bajramin, një festë që shënon përfundimin e agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Presidentja Osmani tha se kjo ditë feste duhet të jetë “një moment reflektimi, dashurie dhe mirësie për të gjithë ne”.
“Uroj që lutjet tuaja gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar, e që shtëpitë tuaja të mbushen me paqe, harmoni e me bekime”, tha ajo.
Në Kosovë ceremonia kryesore e faljes se namazit të Bajramit u mbajt të dielën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.
Kryeministri Kurti uroi besimtarët duke bërë thirrje për mirësi dhe shëndet.
“Qoftë ky muaj rikthim te vlerat më të pastra njerëzore: dashuria, mëshira dhe solidariteti”, tha Kurti./ KultPlus.com