19 Gusht, 2022 - 8:30 pm
Bujtina “Vila 43” është një nga shtëpitë e veçanta në fshatin e bukur të Linit në Pogradec, i kthyer tashmë në qendër tërheqëse për turizmin, edhe si pjesë e programit të qeverisë për “100 fshatrat”.
Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, ka qenë në Lin, duke parë nga afër punën që bëhet në “Vilën 43” për të mikpritur vizitorë nga të katër anët e botës.
Duke biseduar me të zotin e shtëpisë, Naum Bicin, prefekti Jole ka mësuar për mbështetjen që ka marrë “Vila 43” nga qeveria, nëpërmjet programit IPARD II për pajisje hotelerie, bari, restoranti e pajisje për aktivitete në natyrë për turizëm.
Të gjitha këto kanë arritur vlerën 14 052 888lekë si bashkëfinancim, me kontribut kombëtar e të BE-së. Ky financim ka bërë të mundur që bujtina të jetë shumë e frekuentuar, sidomos në periudhën nga qershori në shtator.
Përveç vizitorëve vendas, turistë nga Gjermania, Franca, Çekia, Izraeli e deri nga Uruguai, kanë rezervuar aty, shembull i cili dëshmon se qarku i Korçës ka një potencial të madh për të afruar turistë të huaj nga gjithë bota.
Fondet IPARD II mbështeten ata fermerë aplikues ne program, të cilët investuan në ferma bujqësore, për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale si dhe në diversifikimin e ekonomisë në fshat.
Buxheti i përgjithshëm në dispozicion ishte 57.68 milionë euro nga të cilat 75% ose 43.26 milionë euro kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.