30 Janar, 2020 - 11:38 am
Gjatë dhjetorit një garë e veçantë është zhvilluar në oqeanin Atlantik, ku njëri prej pjesëmarrësve ishte dhe shoku im shqiptar Lirim Gula.
Fjorda Llukmani
Së bashku me shokët e tij, ai u bë shqiptari i parë që kalon oqeanin duke lundruar me varkë. “Dorabros” përbëhet nga 4 djem të cilët janë stërvitur prej vitesh për të përballuar këtë sfidë të madhe. Kalimi i Oqeanit Atlantik me varkë ishte pika kulminante e garave ku ata morën pjesë.
Arsyeja përse u mor kjo sfidë e rrezikshme është akoma më prekëse. Para disa vitesh Lirimi ka humbur një mikun e tij që ishte i sëmurë me kancer. Kjo ngjarje i ndryshoi jetën dhe e bëri të mendojë se duhet të ndihmojë ata që kanë më shumë nevojë. Të gjitha të ardhurat që janë mbledhur nëpërmjet sponsorëve, kanë shkuar për spitalet që kurojnë adoleshentët dhe fëmijët e sëmurë me kancer.
Lirimin e takova vjet në shkurt në Prishtinë ku dhe u njoha me historinë. Më tregonte se në dhjetor do të fillojë gara në Atlantik, sepse atëherë ujërat janë më të ngrohta. Asokohe më dukej pothuajse e pabesueshme, por ja që ata ia dolën.
36 ditë, 10 orë e 31 minuta u deshën për të lundruar në oqean. Lirimi, Rufus, Charlie dhe James janë nisur nga ishulli La Gomera në Spanjë e deri në Antigua. Për ta bërë sa më të lehtë nisjen nuk kanë pranuar që t’i përcjellin familjarët, por vetëm një grup i vogël miqsh e trajnerësh.
Varka mund të ndiqej live në internet dhe unë pashë momentin e nisjes në Facebook. Më kapi frika, megjithëse kisha besim të plotë që do t’ia arrinin. Ama 1 muaj në oqean si thonë pak.
Në bisedën që pata me Lirimin ai thotë se ditët e para patën stuhi e dallgë. Dorabros së bashku me 34 skuadra të tjera u nisën më 12 dhjetor. Valët e detit prej 30 metrash e lëkundin varkën goxha shpejt dhe kështu djemtë i zuri deti. Disa ditë kaluan me të vjella, por i jepnin forcë vetes me idenë që sëmundja e detit kalon për 3 ditë.
Lirimi në veçanti ka patur plagë të hapura e të infektuara në këmbë që janë shkaktuar nga shiritat që mbanin për t’i dhënë velave.
“As nuk haja e as nuk pija dot. Nuk isha në gjendje të lundroja. Shokët e skuadrës u përqendruan në rregullimin e varkës pasi patëm disa dëmtime prej dallgëve. Pas 10 ditësh, piva disa antibiotikë, mjekova plagët e mia, fjeta 14 orë gjumë dhe hëngra vaktin tim të parë. Fillova të përmirësohesha dhe s’doja të lija shokët në baltë.”- thotë ai.
Shokët e skuadrës e kanë ndihmuar shumë duke bërë punën e tij gjatë kësaj periudhe. Ndërroheshin me njëri-tjetrin vetëm që Lirimi të pushonte e të merrte veten në vazhdim. Tamam punë e shkëlqyer në grup!
Trupat e tyre u përshtatën me lodhjen, nxehtësinë e dhimbjen dhe kështu ndjeheshin më të fortë. Lundronin 3 orë, bënin 1 orë pushim, e pastaj vazhdonin përsëri. Arritën të lundronin 10 milje në ditë duke u radhitur në vendin e 6-të. Kishte dhe momente gëzimi pavarësisht kushteve rraskapitëse, si p.sh tufa të mëdha delfinësh duke bërë shfaqje akrobatike, balena duke notuar qetësisht, 20 yje të rëna nga qielli përfshirë dhe një kometë. Gjatë natës kushtet bëheshin më të vështira pasi nuk shikonin prej errësirës. Djemtë dëgjonin librin e Harry Potter me kufje ose muzikë për të mbajtur trurin zgjuar.
Ndërkohë që ne ktheheshim në punë pas festimeve të Vitit të Ri, skuadra Dorabros përballej me një aksident tjetër në oqean. Një skaj i varkës ishte ngritur mbi një valë 10 metra dhe i kishte hedhur djemtë përmbys me një dhunë të jashtëzakonshme. Charlie dëmton rëndë gjurin e iu desh të thërrisnin ekipet e mjekëve për t’i ndihmuar.
Zhurmat e dallgëve ishin aq të forta sa i krahasuan me ato të bombës, prandaj ishin të detyruar të mbanin kufje në vesh. Të lënduar, të tronditur e të frikësuar nga ky incident, ekipi vazhdoi para duke bërë të pamundurën për të shmangur një peripeci tjetër. Adrenalina e tyre luajti favor të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes, e për pak ditë ekuipazhi qeshte e bënin shaka përsëri.
Arritja më e madhe e tyre ishte që grupi Dorabros do të vazhdojë të jenë miq edhe pas kësaj sfide. “Ndodh shpeshherë që skuadrat e tjera të ndahen me njëri-tjetrin pasi krijojnë mosmarrëveshje gjatë rrugëtimit në oqean. Kurse ne ia dolëm shumë mirë, duke e forcuar miqësinë tonë më tepër. Sigurisht që kishte momente të tensionuara, por nuk u grindëm asnjëherë pasi ishim për një qëllim të përbashkët, të mblidhnim një shumë të madhe parash për Trust Teenage Cancer. Varka u drejtua pa lider, por si në demokraci. Nëse duhej të merrej një vendim votonim të gjithë për më të mirën tonë.”-thotë Lirimi.
Tek afroheshin në Antigua, ditët e fundit të sfidës djemtë kishin humbur rreth 12 kilogramë dhe përtypnin vitamina C shumicën e kohës. Në breg i prisnin miqtë e familjarët dhe qëndruan disa ditë të tjera për të pushuar në Antigua. Në Facebook shikoja momentet e pritjes nga të afërmit, kur çunat arrijnë finishin.
S’besoj se ka patur kënaqësi më të madhe për ta. Imagjino çfarë mbështetjeje kishin nga familja për një sfidë të tillë jetë a vdekje. Shumica e prindërve tanë s’do të na kishin lënë nga frika. Por shpirti aventurier i Dorabros i kaloi të gjitha parashikimet.
Në varkën e tyre ka një stampë të ngjitur me flamurin shqiptar, ndërkohë që nuk mungon dhe flamuri i Kosovës e Anglisë.
Për njerëz patriotë e me zemër të madhe kemi nevojë. Kur ka marrë pjesë në maratonën e shkretëtirës së Saharasë dhe në rrugëtimin me biçikletë nëpër Evropë, Lirimi se ka ndarë kurrë flamurin e Shqipërisë me atë të Kosovës.
Ndonëse të dyja shtetet s’kanë dhuruar apo promovuar suksesin e tij, ai prapë bëri të vetën duke mos harruar nga vjen. Shumë kollaj mund të përfaqësonte vetëm Anglinë, duke qenë shteti që ia dha këtë mundësi dhe e bëri ai që është. Por njerëzit e mëdhenj në shpirt e mendje, se mohojnë kurrë të shkuarën.
Familja Gula ka bërë një punë të shkëlqyer duke i rritur fëmijët më dashurinë ndaj atdheut. Lirimi jo vetëm që na bëri krenar që finalizoi një sfidë të veçantë, por dhe na nderoi duke qenë i pari.
Kështu Lirimi u bë shqiptari i parë dhe i vetmi në Ballkan që ka lundruar në oqeanin Atlantik. Dhe s’ka më mirë se të jesh i pari, sepse do të thotë që do të mbahesh mend gjithmonë./dritare.net / KultPlus.com