20 Tetor, 2024 - 11:16 am
“Lojëra Popullore Fest” titullohej aktiviteti i organizuar në qytetin e Shkodrës me pjesëmarrjen e trupave nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Tirana dhe Shkodra.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në sheshin para bashkisë Shkodër, pjesëmarrësit e 10 trupave, me këngë, valle, lojëra popullore dhe me kostumet tradicionale përcollën një atmosferë të veçantë.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se ky aktivitet synon promovimin e traditave brez pas brezi, në shërbim edhe të turizmit.
Në këtë aktivitet u ndanë edhe çmime, ku me vendin e parë u vlerësua Jahi Hasani nga Cegrani (Gostivar, Maqedonia e Veriut), të cilit iu dha kupa e festivalit nga Bekim Mema, drejtori i zyrës së Zhvillimit në Bashkinë Shkodër.
Me vendin e dytë u vlerësua Minatori i ri, Kishnicë (Kosovë) dhe me vendin e tretë Ansambli folklorik “Ana Morava”, nga Vitia e Kosovës.
Pjesë e këtij festivali ishin edhe shkolla “Luce Agraja” nga Dajçi, Qendra kulturore e Fëmijëve Kujtim Alia, Shkolla Speciale “3 Dhjetori”, Kopshti “Bep Tusha”, Shkolla “Liria”, etj”.
Me organizimin e këtij aktiviteti u shpalos fuqishëm mesazhi i përfshirjes sociale, pasurimi i jetës dhe rëndësia e angazhimit të rinisë në aktivitete të trashëgimisë kulturore.
Ky aktivitet u organizua nga “The Door” me mbështetjen e bashkisë Shkodër./KultPlus.com