27 Korrik, 2022 - 8:06 pm
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë që ai drejton, Universitetit të Prishtinës, Ambsadës së Francës në Kosovës dhe Shkollës së Lartë Normale, Universiteti i Parisit, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka thënë se lokaliteti arkeologjik, Ulpiana, do të përfitojë mbështetje profesionale për kërkime arkeologjike.
Postimi i plotë:
“Sot nënshkruam vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Shkollës së Lartë Normale, Universiteti i Parisit.
Lokaliteti arkeologjik Ulpiana do të përfitojë mbështetje profesionale për kërkime arkeologjike, duke thelluar edhe shkëmbimin profesional me shtetin francez. Me marrëveshjen e sotme hapet rrugë për zbatimin e programit të mbështetjes financiare IPA II të Bashkimit Evropian, ku në periudhën tre vjeçare do të investohen një milion euro.
Vazhdojmë me përkushtim dhe jemi drejt finalizimit të Planit të Menaxhimit për Lokalitetin arkeologjik Ulpiana si dokument strategjik për krijimin e kushteve të qëndrueshme për mbrojtjen dhe promovimin e këtij aseti të trashëgimisë kulturore.
Jemi duke aktivizuar të gjitha kapacitetet shtetërore për të siguruar mbështetje profesionale dhe financiare që do të mundësojnë mbrojtjen dhe promovimin e këtij lokaliteti me rëndësi të jashtëzakonshme universale”, thuhet në postim. /KultPlus.com