28 Shkurt, 2021 - 1:02 pm
Pavarësisht nga pasojat e Brexit ose ato të COVID-19, Londra tani për tani duket se po qëndron e fortë për sa i përket përqendrimit të të pasurve dhe super të pasurve mes banorëve të saj.
Jo vetëm në nivelet shumë të larta të miliarderëve, por edhe midis niveleve mesatare, numri i tyre, sipas një sondazhi të fundit të raportuar nga “The Guardian”, tani është më i lartë se ai i Nju Jorkut.
Parakalimi i Big Apple është certifikuar nga një hulumtim i bërë nga shoqëria për konsulencën e pasurive të patundshme “Frank Knight”, që vlerëson se ka 875 000 milionerë (me pasuri, prona, me vlerë më shumë se një milion dollarë) që banojnë në kryeqytetin britanik, kundrejt 820 000 në metropolin amerikan.
“Për ironi të fatit, kostoja e lartë e strehimit në Londër, mesatarisht 514 000 stërlina, është nxitësi kryesor për klasifikimin e kaq shumë familjeve si të pasura”, tha Liam Bailey, menaxher i kërkimit global në “Frank Knight”.
Raporti për Pasuritë i “Frank Knight” tregon se pavarësisht shkatërrimit ekonomik të shkaktuar nga pandemia në miliona njerëz me të ardhura modeste, ata që ishin tashmë shumë të pasur qenë në gjendje të rrisnin pasurinë e tyre.
Studimi zbuloi se Londra kishte më shumë të ashtuquajtura shtëpi “premium” se çdo qytet në botë, me më shumë se 68 000 njësi me vlerë mbi dy milionë stërlina secila.
Londra është emëruar, gjithashtu, qyteti i zgjedhur për të pasurit për stilin e jetës, po sipas një sondazhi të “Frank Knight” për atë që të pasurit kërkojnë nga qytete të tilla, si restorantet me yje “Michelin”, shtëpi operash dhe teatro, universitete, pajisje sportive dhe argëtimi.
Kryeqyteti britanik thuhet edhe se ka përfituar nga një fluks i qytetarëve të pasur të Hong Kongut, shumë prej të cilëve kanë lënë ish-koloninë britanike mes shqetësimeve për shtypjen autoritare të Kinës./ata/ KultPlus.com