2 Mars, 2020 - 5:30 pm
Është tetori i vitit 1882 dhe Zhozef Brojeri, psikiatri i famshëm dyzetëvjeçar, mjek personal në Vjenë i arstistëve dhe filozofëve si Brahms, Brucke dhe Brentano, ndodhet në Kafe Sorrento në shoqërinë e një gruaje të re që nuk e njeh, por që e thirri për një “çështje urgjente” nga ku do të varet “fati i filozofisë gjermane”. Quhet Lu Salome dhe ka një bukuri të pazakontë: ballë i plotë, mjekër e skalitur, sy blu të shndritshëm, buzë sensuale dhe flokë biondë në platin.
Megjithëse bënte ftohtë, hoqi peliçen dhe duke e parë drejt e në sy i thotë se trembet për jetën e mikut të saj: Fridrih Niçes, mendimtarit gjerman i cili sipas kompozitorit Vagner i kishte dhuruar botës një vepër të pashoq.
“Shpirti i njeriut ndërtohet nëpërmjet zgjedhjeve të tij.”
Niçja pranon të kurohet nga doktor Brojeri, ama zgjedh një mënyrë krejt tjetër të trajtimit, ashtu si asnjë më parë. Vuan nga një migrenë e fortë, por që e ka burimin te stresi kronik dhe hipervigjilenca, që ia trazojnë shpirtin, por i nxisin mendjen për të shkruar ato që do të ishin më pas kryeveprat e filozofisë botërore. Niçja është i bindur se vepra e tij i përket një kohe tjetër, e në këtë mënyrë autori Irvin Yalom ka dhënë mesazhin se me të vërtetë vepra e Niçes ende nuk ka shteruar, pasi gjithmonë është temë debati në diskutimet mbi filozofinë.
“Ç’është miqësia? Dy njerëz që bëhen bashkë në kërkim të një të vërtete më të madhe.”
Dialogu imagjinar mes Zhozef Brojerit dhe Fridrih Niçes zhvillohet jo vetëm në zyrë, por edhe duke shëtitur apo duke pirë një kafe. Ata përfundojnë të bëhen pacientë të njëri-tjetrit, pasi për pikëpyetjet që ngrinin Niçja ofronte aspektin filozofik ndërsa Brojeri atë psikanalitik. Si do të ndryshonte psikanaliza nëse me të vërtetë Niçja do të pranonte të kurohej nga Brojeri dhe këta dy personalitete të viteve ‘800 do te takoheshin? Askush nuk e di, mund të bëjmë vetëm hamendësime.
“Jetoni kur ndiheni i gjallë. Vdekja e humbet tmerrin e saj kur njeriu vdes pasi e ka konsumuar jetën e tij. Vdis në kohën e duhur!”
Njohës i mirë i filozofisë, autori i librit Yalom nëpërmjet dialogjeve imagjinare mes dy personave realë si Niçja dhe Brojeri ku herë pas herë përfshihet në bisedë edhe djaloshi i ri Zigmund Frojd, zbërthen në mënyrë të thjeshtë filozofinë e Niçes mbi të vërtetën, mbi marrëdhënien tonë me tjetrin, mbi mendimet dhe veprimet, mbi gratë, mbi mënyrën se si duhet ta konceptojmë jetën dhe format me anë të së cilave duhet të kuptojmë vetveten.
Janë pafund pyetje që ngrihen në bisedat mes tyre, të cilat marrin përgjigje respektive nga filozofia dhe psikanaliza, por gjithmonë lënë një shteg për interpretimin e vetë lexuesit. Ajo që është e vërtetë, është se në fund të viteve ‘800 kur këto biseda imagjinare janë bërë, psikanaliza nuk kishte lindur ende. Niçja nuk ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e saj, por puna dhe njohja nga afër me Brojerin do të nxisnin Zigmund Frojdin që të zhvillonte psikanalizën.
“Është më e lehtë, shumë më e lehtë t’i bindesh dikujt tjetër se sa të komandosh veten.”
Në të vërtetë, Niçja për pjesën më të madhe të jetës vuajti nga një sëmundje e rëndë, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua në vitin 1889 nga sifilizi për të ndërruar jetë në vitin 1900. Mes miqve që takonte në Europë, me siguri dikush mund ta kishte bindur që të vizitohej te doktor Brojeri në Vjenë, por kurrë nuk ndodhi. Libri është ndërtuar mes letrave autentike që Vagneri i drejton Niçes dhe marrëdhënies reale që ky i fundit ka pasur me Lu Salomenë, një dashuri të parealizuar kurrë. Ashtu si edhe autori Irvin Yalom thotë në pasthënie, “Historia është trill që ka ndodhur. Trilli është histori që mund të kishte ndodhur.” / KultPlus.com