Luanit në resortin e Gjilanit, tash e një vit s’po i dalin në ndihmë institucionet

8 Nëntor, 2020 - 6:54 pm

Që nga koha kur është bërë e ditur se po mbahet një luan në mënyrë ilegale në një resort në Gjilan ka pasur reagime të shumta. Mirëpo edhe sot pas një viti nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e institucioneve përkatëse, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook, Fondacioni për të Drejtat e kafshëve ka reaguar sërish duke thënë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po i kryen detyrat e veta për të mundësuar transferimin e luanit.

Ky është reagimi i kësaj organizate në faqen zyrtare Facebook:

Sot bëhen 1 vit prej kur është zbuluar mbajtja ilegale e luanit në resortin “Maja e Zezë” në Gjilan.

Edhe pse është konstatuar se luani është kontrabanduar në Kosovë dhe është konfiskuar në fillim të këtij viti, luani vazhdon të qëndrojë i mbyllur në të njëjtin vend, peng i mosangazhimit të institucioneve.

Organizata FOUR PAËS International ka ofruar strehim për luanin në një nga qendrat e saj të shpëtimit, mirëpo deri më tani Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po i kryen detyrat e veta për të mundësuar transferimin e luanit, përkundër faktit që kemi tentuar disa herë të kontaktojmë direkt edhe Ministrin, z. Blerim Kuçi.

Përmes këtij postimi, i bëjmë thirrje përsëri Ministrit Kuçi dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë, të angazhohen seriozisht në këtë qështje dhe luanit t’i mundësohet transferimi sa më shpejtë që është e mundur./ KultPlus.com

Të ngjajshme