Luçie Miloti, këngëtarja që zëri i mjaftonte për të pushtuar skenën

23 Janar, 2023 - 8:30 pm

Luçie Miloti lindi më 11 Maj 1930 në Shkodër, në një familje me tradita muzikore. Për herë të parë ka dalë në skenë në moshën 12-vjeçare dhe çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin e shumë të tjerë.

Rruga e saj artistike do të niste në Radion e Shkodrës dhe më pas do të angazhohej në shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën dirigjimin e Prenkë Jakovës. Në 1946, në moshën 16- vjeçare vjen në Tiranë, ku fillon karriera e saj si në skenat kryesore të vendit, ashtu dhe në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare. Transferimi i familjes në vitin 1946 do ta afronte në jetën artistike kryeqytetase. Ai që krijoi figurën e saj të plotë si këngëtare është profesori i saj, Pavlin Pali.

Fillimisht emërohet si soliste në Radio Tirana nën drejtimin e Paulin Palit dhe një vit më vonë emërohet si soliste në filarmoninë shqiptare me krijimin e institucioneve të tjera kulturore artistike profesioniste të kryeqytetit, Luçia u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në 1957, emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj. Do të vazhdojë si soliste në Ansamblin Popullor deri në moshën 45 vjeçare, kur del edhe në pension. Që nga kjo kohë u shkëputur nga skena. Në maj të vitit 2006 në Tiranë pas një sëmundje, Luçia ndërrojë jetë pak ditë pas ditëlindjes së 76-të të saj.

Disa kompozime e dedikuara kësaj artisteje të mrekullueshme janë kënga nga Pjetër Gaci, me titull: “Qytetit tim” , që e ka kënduar më vonë Sali Brari. Rud Gurashi, këngën me titull: “Shpend ma i parë i bukurisë”, Zef Leka, me këngën: “Synin tand larush moj çike”, të Xhevat Lishit, me tekstin e Lah Mema: “Zani yt, na sjell pranverë” dhe e këndon Meri Zefi. Në fund të 2004 nga kompozitori lezhjan, Agim Velaj: “Lauresha e Shkodrës”.

Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vjen si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese. Në repertorin artistik numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës. Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si “Kaçurrelat e tu”, “Synin tënd larushe mij çike”, “Me t’shi hajtshamos” etj.

Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”. Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh” nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani. Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës merr emrin e këngëtares së mirënjohur.

Luçie Miloti ndërroi jetë nga një sëmundje më 15 maj të vitit 2006, pak ditë pasi mbushi 76 vjeç./ KultPlus.com

Të ngjajshme