10 Qershor, 2020 - 5:00 pm
Shkruan: Arben I. Kastrati
Lufta ndaj parimeve, fundi i një populli
Përditshmërisë sonë të vogël klaustrofobike, në të cilën patologjitë dhe defektet janë shndërruar në vlera, i është shtuar edhe lufta ndaj njerëzve të paktë parimorë, që sulmohen brutalisht dhe ndiqen verbërisht nga krerët e institucioneve.
Më e bukura nga të tëra zhgënjimet në RKS-në e pavarur, është shuarja e idealistëve nga politika shqiptare. Servimi i idealistëve dhe parimorëve në ushqim për intriga, pabesi, amoralitet, është shndërruar në domosdo për krekrët e institucioneve dhe argëtim për qytetarët, tani më.
****
Klasa politike shqiptare është e falementuar nga morali dhe parimet. Edhe pse e përcarë, e ndërurryer dhe e armiqësuar skjashmërisht me njëra tjetrën, njëmendësia politike shqiptare së fundmi është bashkuar me një qëllim, të luftojë emrat e paktë të përvetshëm parimorë, me qëllim diskreditimin e personaliteteve të tyre.
Brutaliteti me të cilin emrat e përvetshëm që forcërisht mbrojnë parimet, luftohen si nga partia amë ashtu edhe nga krerët e institucioneve shtetërore, është e frikshme. Zhdukja e parimeve morale, për t’u zëvendësuar nga interesat politike, është shndërruar në luftë të kobshme.
Shembulli që klasa politike me këto veprime dërgon në popull, është trishtuese. Të kërkosh nga individi të heqë dorë vullnetarisht nga parimet, është sikur t’i kërkosh individit të c’bëjë personalitetin e tij.
Klasa politike po e mëson popullin se si të devijojë nga parimet bazike njerëzore, që të manipulohet, të shitet, të humbas parimet, të humbas vlerat, të humbas dinjitetin, të humbas moralin. Politikanët shqiptarë në RKS, as pendesë as turp nuk provojnë prej kohësh.
****
Kryetari i vendit, duhet të jetë figurë unifikuese, thuhet në Kushetutën e Kosovës. Kryetari i shtetit në të cilin rroj, një i paditur i certifikuar, mirret profesionalisht me thashethëme, me shpifje nën brez dhe me intriga primitive, për ta diskerdituar oponentët politikë me parime. Është poshtruese për qytetarin të dëgjojë të tillë niveli edukate, dijeje dhe intrige nga Kryetari i vendit.
Dëshira e frikshme për ta shuar njeriun me parime, ashtu sic i shuan idealistët, është shembull i trishtë se si vendi gradualisht por sigurt, po shkon drejt c’bërjes së lirisë së shprehjes dhe vendosjes së totalitarizmit.
Frika më e madhe, ngelet moskundërshtimi i instalimit të totalitarizmit. Ndërsa ankthi kombëtar, ngelet shndërrimi i ndërmarrjeve të frikshme dhe shuarja e vlerave njerëzore në argëtim.
Devalvimi i dinjitetit politik dhe njerëzor në këtë vend, ka arritur shkallë të lartë trishtimi.