24 Janar, 2023 - 4:30 pm
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi sot takimin e tretë të ciklit “Personazhe në Fokus”, me të ftuar “Artistin e Popullit”, Luftar Paja.
Aktori shumë i dashur për publikun rrëfeu për të rinjtë pjesëmarrës disa prej realizimeve të tij më mbresëlënëse. Luftar Paja tregoi sfidat përgjatë karrierës si edhe eksperiencën personale në komedinë, teatrin dhe filmin shqiptar.
Ky cikël takimesh do të vijojë të përçojë histori frymëzuese nga të tjerë “Personazhe në Fokus”.
Luftar Paja lindi në Gorishovë të Mallakastrës më 1 dhjetor 1941. Që në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier. Në vitin 1979 merr titullin Artist i Merituar.
Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistikë, ku ka spikatur me role karakteri në filma si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”, “Ëndrra për një karrige”, etj. Në vitin 1990 mori titullin e lartë Artist i popullit./atsh/ KultPlus.com