25 Shkurt, 2025 - 11:16 pm
“Lugina e Varur Akullnajore e Kukajt”, monument natyre në fshatin Valbonë, Tropojë, është pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo luginë e mbuluar nga dëbora, e cila mund të vizitohet duke lëvizur nga qendra e Valbonës dhe duke ndjekur rrugën për në lagjen Kukaj. Vitet e fundit ajo është kthyer në destinacion për të pasionuarit pas ngjitjeve në mal.
““Lugina e Varur Akullnajore e Kukajt”, pozicionohet në anën perëndimore të Luginës së Valbonës, 1200 mbi nivelin e detit. Monumenti i natyrës, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve, njihet për vlerat e saj shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, didaktike dhe ekologjike”, shkruan AKZM.
Kjo është një luginë e varur akullnajore dhe karstike e formësuar si e tillë edhe gjatë proceseve tektonike. Lugina është rreth 6 km e gjatë (nga Jezerca) dhe 2-2.5 km e gjerë.
Lugina ka formën e një koni të përmbysur, ku në pjesën e sipërme rrethohet nga disa maja të larta si; maja e Poplukës ose e Rragamit (2472 m), Jezerca (2694 m), maja e Rosit (2524 m) dhe maja e Thatë (2406 m).
Këto maja i japin luginës në pjesën e sipërme të sajë formën e një gjysëm-rrethi. Ndryshe nga shumica e luginave, kjo e Kukaj mbyllet në fundin e saj, afër pikëtakimit me lumin Valbona.
“Lugina e Varur Akullnajore e Kukajt” tërheq vizitorë vendas e të huaj në të gjitha stinët e vitit./atsh/ KultPlus.com