Luiza Gega shpërblehet me 100 milionë lekë të vjetra si kampione dhe rekordmene evropiane

23 Gusht, 2022 - 10:50 pm

Atletja Luiza Gega përfiton shpërblimin financiar prej 100 milionë lekë (të vjetra) nga qeveria, pas shpalljes kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Evropian të Atletikës që u mbajt në Mynih të Gjermanisë.

Ky shpërblim i akordohet sipas vendimit të qeverisë Nr. 789, datë 15.12.2021 për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre, që parashikon se, sportistët që thyejnë rekord evropian shpërblehen me shumën 60 milionë lekë (të vjetra). Ndërkohë, për ata që fitojnë vendin e parë në Kampionatin Evropian shuma që u akordohet është 40 milionë lekë (të vjetra).

Gjatë një ceremonie, Kryeministri Edi Rama i dhuroi Luiza Gegës Kordonin e Madh me Yllin për Mirënjohje Publike, ndërsa theksoi se “Gega i dhuroi vendit imazhin e një Shqipërie që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve”.

Kampionia e Evropës u shpreh se “doja t’i tregoja Evropës që edhe ne mundemi. Ndoshta vijmë nga një vend i vogël, por me punë mund t’ia dalim edhe më mirë se ata”.

Ndërsa ministrja Kushi tha se “sipas projektligjit të ri të sportit do të kemi për herë të parë edhe grada honorifike për sportistët elitarë dhe këto grada do të jenë jo vetëm si tituj, por edhe për shpërblim financiar dhe për pagat. Është një hap shumë domethënës, sepse vlerëson punën dhe talentin e sportistëve si Luiza, e cila pas këtij ligji do të gëzojë gradën ‘kolonel’”.

Luiza Gega arriti të thyejë rekordin e kampionatit evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme