Lukova me plazhet e vogla, destinacion i preferuar edhe në shtator

12 Shtator, 2023 - 9:07 am

Lukova, një nga fshatrat karakteristikë të Rivierës joniane, që gjendet mes Sarandës dhe Himarës, 30 minuta larg secilit prej dy destinacioneve turistike të Shqipërisë së jugut ofron panorama unike dhe oaz qetësie në këto ditë të ngrohta të shtatorit.

Agjencia Kombëtare e Turizmit përcolli foto nga plazhet e Lukovës që tërheqin pushuesit që dinë se ku të kërkojnë në Rivierën shqiptare.

Plazhet e vogla dhe intime të rrethuara me kodrina të gjelbëruara  mbeten gjithmonë një destinacion i preferuar edhe në muajin shtator, për ata që duan të pushojnë larg zhurmës urbane dhe turizmit në masë.

Ndërkohë, fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.

Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet e Lukovës./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme