Lukova, një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë

27 Korrik, 2022 - 8:58 am

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Lukova, një ndër fshatrat me plazhet më të bukura dhe të frekuentuara gjatë stinës së verës.

“Lukova ofron një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë, me detin e kaltër dhe me dallgët që vallëzojnë mbi pllakat e shkëmbinjve”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.

Lukova është e pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika.

Fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.

Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që ju duhet patjetër të zbuloni këtë verë në Lukovë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme