“Lulebora nuk çel më -Asamble në shpërfaqje” Pavijoni i Kosovës paraqet konceptin kuratorial në Bienalen e Venecias

17 Prill, 2025 - 6:06 pm

Pavijoni i Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës –  La Biennale di Venezia paraqet projektin Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje nga Erzë Dinarama. Projekti ofron një eksplorim ndijor të ndërprerjes dhe rikonfigurimit të marrëdhënieve të rrënjosura ekologjike dhe sistemeve të dijes së mishëruar, që gjenden nën trysninë e krizës klimatike. 

I bazuar në punë kërkimore me bujq në mbarë Kosovën, projekti gjurmon një peizazh në tranzicion, ku të mbjellat e kahershme si gruri dhe fasulet po hasin vështirësi, ndërsa kultura të reja si kivi dhe fiqtë po marrin jetë. Ky ndryshim bujqësor pasqyron zbehjen e shenjave ndijore dhe treguesve sezonalë mbi të cilët bujqit janë mbështetur për dekada — duke zbuluar brishtësinë e formave të mishëruara të dijes, ndërsa njëkohësisht krijon hapësirë për rikalibrimin e tyre.  

Instalacioni Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje materializon këto tensione ekologjike përmes dy elementeve kryesore, erës dhe dheut, për të treguar këtë histori në mënyrë ndijore.  

Dyshemeja e pavijonit është e mbuluar me shtresa të ndryshme dheu, të sjella nga Rrafshi i Dukagjinit dhe Rrafshi i Kosovës. Nga shtresat e sipërme, të errëta dhe pjellore, deri te ato më të lehta e të pasura me minerale që pasqyrojnë nivele më të thella dhe më pak të ndryshueshme gjeologjike, kjo përbërje nxjerr në pah kufizimet dhe mundësitë për përshtatje të një peizazhi në transformim.  

Në zemër të pavijonit gjendet një kalendar relacional që shpreh këto ritme të reja bujqësore përmes erës – ndjesisë sonë më intime dhe më të pamatshme. Ky kalendar i bazuar në nuhatje nuk organizohet sipas datave, por përmes ngjarjeve kyçe ekologjike — momente që fermerët i identifikojnë si vendimtare për ciklet jetësore të kulturave me të cilat punojnë. Duke u mbështetur në rrëfimet e fermerëve, çdo erë bën të ndjeshme tregimet e të mbjellave që po zhduken, lulëzimeve të vonuara dhe ekologjive në shfaqje — duke afirmuar natyrën hiper-lokale të dijes së mishëruar, edhe kur ajo fillon të marrë forma të reja. Në këtë mënyrë, ky moment krize nuk paraqitet vetëm si shenjë humbjeje, por edhe si hapësirë për rikonfigurim.  

Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqjeështë një ftesë për të dëgjuar, nuhatur dhe ndjerë ndryshimin përmes shqisave. Është festë për të qëndruar me pasigurinë, jo për ta zbutur, por për ta kuptuar më thellë, dhe për të gjetur mënyra të reja për rikonfigurim. 

Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës –  La Biennale di Venezia komisionohet nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe organizohet nga Ministria e Rinisë, Kulturës, dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

PËR ARKITEKTEN DHE KURATOREN ERZË DINARAMA 
Erzë Dinarama është arkitekte, dizajnere ndërdisiplinare dhe hulumtuese. Puna e saj ndërthur planifikimin urban, dizajnin e peizazhit dhe ekologjinë për të adresuar sfidat mjedisore përmes qasjeve estetike dhe krijuese. 

Ajo ka ligjëruar në Politeknikun e Milanos, ETH Zurich dhe Universitetin Polis, dhe ka prezantuar kërkimet e saj në konferenca ndërkombëtare. Ka ekspozuar në Muzeun Pecci dhe ka bashkëpunuar me Carlo Ratti Associati, Studio Olafur Eliasson dhe Fondacionin Manifesta. Ajo është themeluese e Institutit SRD dhe aktualisht është artiste rezidente në projektin S+T+ARTS4WaterII të Bashkimit Evropian. 

FAKTE 

PËR BIENALEN E VENCIAS
Ekspozitat Ndërkombëtare të Artit dhe të Arkitekturës — La Biennale di Venezia janë dy nga 

platformat më të rëndësishme të artit dhe arkitekturës bashkëkohore në botë. Ato 

ndërkëmbehen çdo vit, janë të hapura për publikun nga prilli deri në nëntor dhe vizitohen nga 800.000 njerëz për çdo edicion. 

Titulli i Ekspozitës së 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias,“Intelligens” nxit një shqyrtim kritik të inteligjencës si një kapacitet i shpërndarë dhe ndërveprues, jo i kufizuar vetëm te teknologjia, por i mishëruar në materiale, mjedise, komunitete dhe proceset e tyre bashkëvepruese. 

Ekspozita frymëzohet nga sfidat e shumta me të cilat përballen arkitektura dhe qytetet sot—kriza klimatike, rritja e pabarazive, dhe transformimet e shpejta teknologjike, duke propozuar që inteligjenca nuk është më thjesht atribut i mendjes njerëzore, por një forcë e shpërndarë në marrëdhënie të ndërlikuara mes njerëzve, natyrës, dhe makinerive. Intelligens është një ftesë për të imagjinuar arkitekturën si një praktikë që dëgjon, mëson dhe ndërvepron—një arkitekturë që kujdeset. 

Në këtë frymë, pjesëmarrësit nga mbarë bota janë ftuar të eksplorojnë dhe shfaqin mënyrat se si arkitektura mund të shndërrohet në një mjet të ndjeshmërisë kolektive, të dijes së mishëruar dhe të ndërveprimeve të reja që i përgjigjen kompleksitetit të kohës sonë. 

PËR PAVIJONIN E KOSOVËS 
Kosova ka marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia me pavijonin e saj kombëtar që nga viti 2012. Prezantimet e kaluara përfshijnë punë nga  Përparim Rama (2012), Gëzim Paçarizi (2014), Eliza Hoxha (2018), Maksut Vezgishi (2021), dhe Poliksen Qorri–Dragaj & Hamdi Qorri (2023). 

ORARI I HAPJES 

Hapja inauguruese e Pavijonit të Kosovës do të mbahet më 08 maj 2025 në orën 15:00./KultPlus.com

Të ngjajshme