29 Tetor, 2021 - 11:03 am
Poeti i shquar kosovar Lulzim Tafa do të nderohet në Greqi me Çmimin e Artë “Aleksandri i Madh”.
Ceremonia e dhënies së Çmimit Ndërkombëtar “Aleksandri i Madh” do të mbahet me 31 tetor në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë.
Me këtë çmim që ndahet për të 37 herë me radhë, nderohen personalitete të shquara nga mbarë bota, njerëz dhe organizata për kontributet e tyre nga fusha e letërsisë dhe arteve, shkencës, politikës dhe sportit. Ky çmim i cili është nën kujdesin e UNESCO-s jepet nga viti 1985.
Poeti Lulzim Tafa do të nderohet për kontributin e tij në fushën e letërsisë dhe të mirës së përgjithshme. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore do ta mbahet në ishullin historik të Salaminës me prezencën e autoriteteve kulturore dhe bashkiake të qytetit dhe përfaqësueseve nga UNESCO.
Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur, librat e të cilit janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ai ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare të letërsisë. / KultPlus.com