Lumbardhi prezanton programin ‘Nën Qiell të hapur’

27 Maj, 2021 - 3:30 pm

Lumbardhi prezanton ‘Nën qiell të hapur’,  një program i  larmishëm me ngjarje publike që do të zënë vend në kinemanë e hapur prej 1 qershor deri më 19 shtator, në përputhje me masat e distancimit, shkruan KultPlus.

‘Nën qiell të hapur’ sjellë në ekranin e madh të Kino Bahçes programin “KINO”, që përbëhet nga gjashtë programe të filmit, përfshirë një retrospektivë të Chris Marker, përzgjedhje nga kolektivi Habibi dhe shfaqje speciale çdo të mërkurë dhe të diele.

Paralelisht rikthehet programi muzikor “Variacionet e dëgjimit” me dy formate të reja të performancave të drejtpërdrejta, “Albumet Pandemike” dhe “Muzgu zanor” si dhe me ripërtritjen e “Tingujt në lëvizje” dhe “Sës-Mës”, që u prezantuan në vitin 2020.

Sezoni i radhës shënon edhe hapjen e dy ekspozitave dhe publikimin e botimeve të realizuara nga projektet kërkimore Kinofigurimi dhe Formimi i Kombit, si dhe prezantimin e punëve të artistëve të angazhuar në programin bashkëpunues QARK. Programi poashtu ndërvepron me festivalet dhe ngjarjet që ndodhin në atë kohë në Prizren, ndërsa forcon bashkëpunimet me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, si DokuFest, Autostrada Biennale, Filharmonia e Kosovës, Protocinema, Qendra Multimedia dhe DAM Fest, për të përmendur disa.

Sivjet programit i shtohet edhe komponenti i ri edukativ që synon t’i interpretojë programet ekzistuese duke krijuar formate pjesëmarrëse e tërheqëse për të rinjë.

‘Nën qiell të hapur’ fillon me 1 qershor, me një ndërthurrje dhe përzgjedhje të kujdesshme të filmave, muzikës, punëtorive, performancave, koncerteve, botimeve dhe bisedave, që synojnë ta rigjallërojnë jetën kulturore e shoqërore të pezulluar nga pandemia./ KultPlus.com

Të ngjajshme