Lumi Sena i tejmbushur me baktere, garat e notit në Lojërat Olimpike të Parisit mund të anulohen

10 Prill, 2024 - 6:26 pm

Garat e notit të lojërave olimpike në Paris mund të shtyhen ose anulohen tërësisht nëse cilësia e ujit nuk përmirësohet në lumin Sena, i cili rrjedh nëpër kryeqytetin francez, sipas organizatorëve të eventit.

Lumi është vendosur të presë disa evente olimpike këtë verë, por ka nivele “alarmante” të baktereve, sipas një paralajmërimi të lëshuar nga OJQ-ja ndërkombëtare Surfrider Foundation Europe të hënën. Grupi pohoi se nga 14 mostrat e marra në Urën Aleksandri III gjatë një periudhe gjashtëmujore, të gjitha, përveç njërit, treguan cilësi të dobët të ujit.

Tony Estanguet, një kampion tre herë olimpik në kanoe dhe president i Komitetit Organizativ të Parisit 2024, pranoi të martën se bakteri E. coli është “një nga sfidat më të mëdha” me të cilat përballen organizatorët, duke vënë në dukje se gara mund të vonohet ose të anulohet nëse cilësia e ujit përkeqësohet.

Rreziku kryesor vjen nga stuhitë e dendura të shiut, kur uji derdhet në sistemin e ujërave të zeza të Parisit, duke shkaktuar rrezik për tejmbushje. Shiu i tepërt më pas derdhet në lumë dhe mund të çojë në ndotje. Verën e kaluar një rrjedhje e ujërave të zeza çoi në anulimin e një gare noti paraolimpike./balkanweb/KultPlus.com

Të ngjajshme