9 Shtator, 2020 - 9:00 am
Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) publikoi sot disa pamje filmike të lundërzës (Lutra lutra) në liqenin e Prespës, e listuar në listën e kuqe të faunës në Shqipëri.
Liqenet e Prespës, përtej bukurisë së peizazheve natyrore, përbëjnë një ekosistem tejet me rëndësi për faunën e egër, ku një shumëllojshmëri speciesh gjejnë aty një habitat të përkryer për t’u strehuar e riprodhuar.
Një nga këto specie është edhe lundërza, e cila është filmuar prej një banori lokal gjatë shëtitjeve buzë bregut të liqenit të Prespës së Madhe.
Ky banor i zonës ka arritur të filmojë disa momente në të cilat lundërza vërehet duke notuar drejt bregut të liqenit, pamje të cilat e bëjnë tepër të dallueshme këtë specie të veçantë.
“Këtij raportimi i shtohen edhe dëshmi të banorëve të tjerë, të cilët kanë raportuar pranë oficeres tonë lokale, sa herë që janë ndeshur me këtë lloj. Prej këtyre raportimeve mendohet të jenë parë më tepër se tre individë në vendndodhje të ndryshme, çfarë është një tregues i qëndrueshmërisë së popullatës së lundërzës në Prespë. Akoma më tej, kamerat e PPNEA-s kanë arritur të fotografojnë një individ të lundërzës në një lartësi prej 1200 m mbi nivelin e detit, e pazakontë për ekologjinë e këtij lloji”, thuhet në njoftimin e PPNEA.
Lundërza është një specie me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por në mbarë botën. E listuar në listën e kuqe të florës dhe faunës në Shqipëri si VU (Vulnerable), në aneksin II dhe IV të Direktivës Europiane të Habitateve, si dhe në listën e kuqe të IUCN me status NT (Near Threatened), ky lloj gëzon mbrojtje institucionale në nivel ndërkombëtar. Pavarësisht se lundërza ka një përhapje të gjerë në vendin tonë, ajo përballet me rreziqe të vazhdueshme si gjuetia e paligjshme, peshkimi apo ndotja e ujrave/ATSH/ KultPlus