7 Qershor, 2020 - 11:30 am
Macja dhe nusja
Nga Nerimane Kamberi
Vetura u ndal, nga dritarja gjysmë e hapur dëgjonte zërat e vajzave të reja që i këndonin asaj, duart filluan t’i dridheshin, shtrëngonte më fort buqetën e vogël me gjyla të kuq, e rrinte drejtë, qysh duhet. Ca pika djersë filluan t’i rrëshqasin në ballë, dikush, nuk e diti kush, ia çoi pak duvakun dhe ia fshiu. Ishte tepër nxehtë, vera përvëlluese, mezi e kishin lyer shoqet. Buzët i ishin tharë, i kuqi kishte një shije të keqe.
Vapa ka ardhur nga Sahara, sa ironi, askush nuk mund të lëvizë më, as brenda, as jashtë, por ajri po, i lirë të vijë e të shkojë. Sonte edhe jashtë mund të rri, deri vonë. Është gati mesnatë, jam shtrirë në shezlon, “in my garden”, dhe po ha çokollatë. “Ariu i madh, ylli polar, të gjitha mund t’i shihni sonte pa teleskop”, po më kthehet në mendje zëri i vajzës që ka pasion yjet. Edhe dita ishte e bukur, shikova gjatë një macë që e fuste një këmbë në ujë dhe e nxirrte, disa herë kështu, mendohej, nga çka frikohej? A kanë frikë macet? Shumë gjatë e përcolla lojën e saj, jo këmbën e majtë, veç të djathtën e fuste, e në fund u kthye te vendi i vet, nuk e pati guximin të dalë andej përrockës.
“Dil nga kerri, me këmbën e djathtë, edhe në shpi të re kur të hysh, hyn me këmbë të djathtë, të të shkoj jeta mbarë.” Sa këshilla i kishin dhënë natën e “kanës” kur ajo qante nën shaminë e hollë derisa vajzat, motrat vallëzonin dhe qeshin duke treguar ndonjë muhabet për burrin, për martesën, që e bënin të skuqej por edhe të qante më shumë, sa llafe vinin nga të katër anët e dhomës ku ishin mbledhur. “Sonte bajrak nër bija, nesër bajrak nër nuse,….”. Po ajo nuk donte të shkojë nuse, kishte frikë të dalë nga kjo shtëpi ku kishte kaq shumë dashuri. Gjithë këto ditë, gjithë këto vite, si në një strofull, ku asgjë e keqe nuk mund t’i ndodhte…Shoqja e ngushtë i thoshte në vesh: “Hajt se atje më mirë është, këtu veç ke punu, veç t’kanë urdhnu. Shko, mos u tut.” Fjalët e saj nuk e bindnin, “këtu babë, atje burrë”. Ajo vazhdonte të nusërojë e të qajë për fatin e saj.
Macja është fshehur nën tavolinën e terrasës verore. Po ia shoh sytë që po i xixëllojnë. Po striqem si ajo e po vazhdoj t’i sodis yjet. Nata ka filluar të ftohet, shtrëngoj rreth vetes batanijen, dua ta shtyej edhe pak këtë kënaqësi që ma jep pafundësia e qiellit dhe qetësia e natës. Një hut diku na shqetësoi, mua dhe macen. Ajo futi këmbën e djathtë nën kokë, mbylli sytë dhe e vazhdoi gjumin. Edhe unë desha të kthehem në një krah e të flej, por u ngrita, e mbylla derën e oborrit, pasi nxorra veç pak kokën jashtë saj, m’u duk që dëgjova do zëra, këngë dasmash? fjalë grash? apo shushurima zanash? Qesha me vete dhe hyra në shpi. Mbylla telefonin për sonte, thirrjen e fundit e paskam pasur me nanën, shumë gjatë kemi folur për atë vakt.