“MailOnline”: Britanikët çmenden për parajsën evropiane – Shqipërinë

20 Shkurt, 2025 - 4:00 pm

Britanikët po vërshojnë në një vend të rrallë mesdhetar të quajtur “Maldivet e Evropës”, ku kostoja e jetesës është më e lirë se në BM dhe ku 300 ditët e vitit janë me diell, sipas një artikulli të publikuar në të përditshmen britanike “MailOnline”.

Britanikët në kërkim të destinacioneve të përballueshme po zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, një shtet ish-komunist i rrethuar nga detet Adriatik dhe Jon, dhe i konsideruar si më i bukur dhe shumë më lirë se Greqia.

Popullariteti i vendit mesdhetar është rritur – duke u shndërruar në një destinacion pushimesh, me mbi 100 000 vizitorë britanikë që udhëtojnë atje çdo vit.

Si një nga destinacionet më të lira në Evropë, Shqipëria ka tërhequr, kryesisht vëmendjen e pensionistëve – falë kostos së ulët të jetesës, atmosferës së qetë, peizazheve mahnitëse dhe vendasve miqësorë që mirëpresin vizitorët e huaj – ndryshe nga çfare po ndodh në disa vende të njohura të Evropës Perëndimore.

Moti i mirë, akomodimet e lira dhe interneti me shpejtësi të lartë e bëjnë Shqipërinë, vendin e përsosur për të punuar në distancë, sipas sipërmarrësve të rinj.

Ndër ata që kanë zgjedhur një jetë të re në Shqipëri është Chris Knight, së bashku me partneren e tij Suzy, duke blerë një shtëpi ëndrrash në janar 2023.

“Duke parë perëndimin e diellit nga shtëpia jonë e re në Sarandë pasi zbulove një plazh të fshehur – ndihem vërtetë shumë me fat dhe shumë i bekuar”, tha ai duke ndarë foto të shtëpisë së tij luksoze në resortin Riviera të Sarandës.

“Të jesh anglez është shumë e vështirë të kuptosh se sa miqësor dhe ndihmues është populli shqiptar. Do të na pëlqejë jetesa këtu”, shtoi ai.

Pas vendimit për t’u zhvendosur në Shqipëri – dy vjet më parë, Chris është angazhuar në komunitetin lokal të emigrantëve, duke përfshirë një organizatë bamirësie lokale për shpëtimin e kafshëve.

Ai gjithashtu ndan rregullisht foto të perëndimit të diellit mahnitës në mediat sociale dhe komente duke vlerësuar ndershmërinë dhe miqësinë e vendasve, si dhe çmimet e përballueshme, duke përfshirë një vakt mëngjesi për dy persona për vetëm 8,50 paund.

Ai postoi fotot e menusë së restorantit buzë detit. Pjata me kallamar të pjekur në skarë kushtonte 10 paund, bërxolla derri 6,75 paund dhe pica varionte nga 5,89 paund deri në 12,63 paund. Birra dhe vera shiteshin për 2,50 paund.

Një vizitë te dentisti për një mbushje i kishte kushtuar vetëm 35 paund – krahasuar me çmimet në BM – që arrinin deri në 240 paund për të njëjtin trajtim.

“Shqipëria është një nga vendet më të lira në Evropë. Nëse keni akses në internet dhe flisni anglisht, mundësitë janë të pafundme”, tha një tjetër britanikë, Volky – që ka zgjedhur Shqipërinë për të jetuar.

“Për një apartament me dy dhoma gjumi – me qira në qendër të qytetit po paguaj 750 paund në muaj”, tha ai.

Volky tha se tani, paguhet 2,000 paund në muaj nga kompania e tij me qendër në BM – por me të gjitha të ardhurat e tij që vijnë nga puna në internet, ai nuk mendon se ka ndonjë kuptim të qëndrojë në Britaninë e Madhe.

“Njerëzit kanë ide të gabuara se në BM ka më shumë mundësi, më shumë vende pune dhe punët janë më të paguara, por shpenzimet e jetesës janë gjithashtu më të larta”, shtoi ai.

“Një arsye tjetër e madhe që u largova ishin taksat”, tha ai.

“Britania e Madhe është në një tendencë në rënie dhe Shqipëria po zhvillohet shumë shpejt. Ju nuk do të dëshironit të kishit një jetë të mjerueshme – këtu njerëzit janë shumë të lumtur në krahasim me BM-në”, tha ai.

“Në Shqipëri mendoj se je shumë më i lirë, thjesht të lënë të vazhdosh me biznesin tënd për sa kohë që nuk i bën keq askujt”, shtoi ai.

“Një arsye tjetër është moti, në BM – shumicën e kohës moti është i zymtë – dhe kjo mund të ketë ndikim në cilësinë e jetës tuaj. Në Shqipëri, shtatë deri në tetë muaj të vitit – ka mot vërtet të mirë”, tha ai.

Vitet e fundit Shqipëria është bërë një destinacion popullor për pushuesit britanikë – me më shumë se 120 000 vizitorë britanikë çdo vit – që tani vizitojnë vendin ballkanik.

Një vakt mesatar për dy persona në një restorant të nivelit të mesëm në Shqipëri kushton vetëm 29 paund në total, ndërsa një birrë kushton mesatarisht 1,67 paund, sipas një hulumtimi të kryer nga “MailOnline”.

Qytetet më të lira për një vakt që kushton vetëm 21 paund për dy persona – janë Shkodra dhe Vlora. Ndërsa një birrë në Berat kushton vetëm 80 qindarka.

Të dhënat e përpiluara nga databaza e kostos së jetesës “Numbeo” zbuluan gjithashtu se kryeqyteti, Tirana është vendi më i shtrenjtë për një vakt jashtë – 33 paund për dy persona, ndërsa një birrë kushton 1,70 paund.

Shqipëria ka një popullsi prej 2,7 milionë banorësh dhe është një destinacion relativisht i pazbuluar për britanikët – ndërsa italianët – aktualisht përbëjnë numrin më të madh të turistëve.

Shqipëria është me diell 300 ditë në vit, me temperatura të ngrohta deri në nëntor – dhe plazhe mahnitëse që janë konsideruar si ‘Maldivet e Evropës’.

“Ryanair” dhe “Wizz Air” ofrojnë  fluturime drejt Tiranës nga një numër aeroportesh në Britaninë e Madhe. / KultPlus.com

Të ngjajshme