Maja e Kunores në Pllanë, një prej vendeve ende të paeksploruara të Lezhës

5 Shtator, 2024 - 7:46 pm

Maja e Kunores në Pllanë të Lezhës është një prej vendeve ende të paeksploruara.

Një grup të rinjsh janë angazhuar për të hapur shtegun, vendosur sinjalistikën dhe eksploruar atë që fshihet poshtë këtij mali. Udhëtimi vendoset përgjatë një traseje rruge automobilistike të hapur rreth 110 vite më parë nga ushtria austro-hungareze.

Fatjon Vathaj është udhërrëfyes turistik, ka dëgjuar diçka për këtë pikë, por nuk e ka parë ende. Ai thotë se edhe vetë fshati Pllanë është emblematik dhe interesant për t’u njohur me historitë e tij.

Të rinjtë kontribuan për hapjen e shtegut dhe promovimin e këtij fshati që ka shumë për të treguar. Ata fillimisht eksploruan mundësitë dhe janë rikthyer për të vepruar dhe bërë të aksesueshëm këtë shteg.

Gjurmët e rrugës duken ende. Ushtria austro-hungareze ishte vendosur në një pozicion strategjik për të dominuar lëvizjet drejt veriut dhe verilindjes. Në majën e Kunores, siç njihet nga vendasit, shihen ende gjurmët e ndërtesave, të pozicioneve ku kanë qenë vendosur artileria, ndërsa në brendësi një luginë të tërheq për mënyren sesi ndryshon. Poshtë ndodhen tunele të gjata e të larta.

Të rinjtë ishin nisur thjesht me idenë për një ditë ndryshe dhe për të dhënë një kontribut, pa e menduar se ajo që do të shihnin do të ishte diçka impresionuese.

Brenda tuneleve duket sikur koha ka ndaluar para 110 vitesh. Tunelet e stërzgjatur, ku kanë filluar të formohen stalaktitet kanë disa dritare ku mund të dalësh në të gjitha anët.

Të paktë janë ata që i kanë parë së fundmi këto tunele dhe peizazhin e bukur nga maja e Kunores. Edhe banorët e zonës e kanë nostalgji kur rikthehen sërish në këtë majë mali dhe kur rishohin tunelet.

Pjetër Prendi është një prej tyre. Ai ishte pjesë e grupit për të realizuar këtë shteg, por që edhe vetë u surprizua nga madhështia e këtyre tuneleve.

Tunelet e ndërtuara nga ushtria austro-hungareze janë shumë pak të njohura për publikun e gjerë. Ato pritet të zbulohen më shumë nga kureshtarët dhe ata që janë të apasionuar pas ngjitjes dhe shtigjeve malore./KultPlus.com

Të ngjajshme