11 Dhjetor, 2024 - 11:02 am
Maja e Qorres, një prej majave më të larta në Parkun Kombëtar të Llogorasë, këto ditë dimri ofron peizazhe mahnitëse.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë në rrjetet sociale një video me pamje nga Maja e Qorrës ku, siç shkruan ministrja, “bardhësia e borës dhe kaltërsia e detit krijojnë një spektakël dimëror”.
“Ditë të mbarë me adrenalinën e aktiviteteve malore në Majën e Qorres në Llogora, ku bardhësia e borës dhe kaltërsia e detit krijojnë një spektakël dimëror”, shkruan ministrja Kumbaro.
Sezoni i turizmit dimëror, ose turizmi i bardhë ka mbërritur edhe në parkun Kombëtar të Llogorasë, i njohur për freskinë e tij gjatë ditëve të nxehta të verës dhe për magjinë e dëborës në dimër.
Parku Kombëtar i Llogorasë ka potencial të madh për zhvillimin e ekoturizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet./atsh/KultPlus.com