3 Korrik, 2024 - 7:55 pm
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se vepra e Ismail Kadaresë ka ndriçuar kulturën dhe identitetin kombëtar, duke e bërë të njohur zërin shqiptar në mbarë botën, shkruan KultPlus.
Sot në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, ambasadori Malaj ka pritur personalitete të shumta të cilët u nënshkruan në librin e ngushëllimeve, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
“Në nderim dhe mirënjohje për veprën madhështore të shkrimtarit Ismail Kadare, sot pritëm në ambientet e ambasadës në Prishtinë për të shprehur ngushëllimet e tyre në librin e ngushëllimeve shumë përfaqësues nga institucionet shtetërore të Kosovës, trupi diplomatik i akredituar në Kosovë, bashkëkombas shqiptar nga Kosova e trevat e tjera mbarëshqiptare.
Faleminderit miq e ju bashkëkombas!
Vepra e Ismail Kadarese ka ndriçuar kulturën dhe identitetin tonë kombëtar, duke e bërë të njohur zërin shqiptar në mbarë botën”, thuhet në shkrimin e ambasadorit Petrit Malaj në facebook.