Malajzia heq vizat për qytetarët e Kosovës, Osmani: Lidhjet tona po forcohen

25 Prill, 2025 - 12:26 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj autoriteteve të Malajzisë për vendimin e tyre për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, për qëndrime deri në 30 ditë.

Në prag të vizitës së saj zyrtare në Malajzi javën e ardhshme, Presidentja Osmani theksoi se ky hap i rëndësishëm tregon qartë rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës sime javën e ardhshme, është një shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë”, është shprehur Osmani në X.

Ajo shtoi se pret me padurim takimet me liderët shtetërorë të Malajzisë, për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të qytetarëve të të dy vendeve.

“I shpreh mirënjohjen time të sinqertë institucioneve të Malajzisë për këtë vendim kuptimplotë. Mezi pres të angazhohem me liderët shtetërorë javën e ardhshme ndërsa punojmë së bashku për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të popullit tonë”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com

Të ngjajshme