12 Dhjetor, 2024 - 9:17 pm
Malet janë burim jete, element i rëndësishëm për ekosistemet, por janë dhe aq madhështore ndërsa mbështjellin fshatra e vendbanime nën hijen e tyre, dhurojnë shi dhe presin erën që dëmton të mbjellat.
Nga ana tjetër, ata që i duan malet por edhe që i njohin shtigjet e tyre mund të flasin me orë për ndjesitë që ato përcjellin.
Për të folur për malet, në Ditën Ndërkombëtare të Maleve që shënohet çdo 11 dhjetor, u mbajt pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, një takim i veçantë i organizuar nga fondacioni me të njëjtin emër.
Takimi u moderua nga koordinatorja e Fakultetit të Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale, Bardhe Karra, ndërsa morën pjesë të apasionuar pas natyrës, alpinistë, mbështetës dhe ekspertë të çështjeve mjedisore, guida profesionale në zonat malore, studentë e të ftuar.
Të ngjitësh një mal nuk është vetëm sfidë fizike, por edhe një udhëtim brenda vetes.
Kështu nisi biseda nga moderatorja Karra e cila është edhe vetë e apasionuar pas ngjitjeve malore. Ideja për takimin është e presidentit të fondazionit Fr Ruggero Valentini, përkushtimi i të cilit mundësoi edhe eventin.
Mbajtën fjalë përshëndetëse Presidenti i fondacionit Fr. Ruggero Valentini dhe drejtori i Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera.
Të apasionuarit e maleve u përfshinë në diskutime të hapura dhe të sinqerta ndërsa nuk munguan ndërhyrjet e Prof. Aleksandër Bojaxhi alpinist, drejtuesit të Shoqatës Turistike “Bjeshkatarët”, Fisnik Muça që po ashtu është edhe guidë alpine në vendin tonë.
Gjatë takimit është prezantuar edhe një libër shumë i veçantë që i kthehet publikut pas një kohe të gjatë: Malet e Shqipërisë, edicion i vitit 1941 me autor Piero Ghiglione, risjellë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve përmes kësaj nisme.
Pietro Ghiglione, alpinist dhe shkrimtar italian përshkruan në libër eksplorimet e tij në malet e Shqipërisë në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Vepra është një ditar udhëtimesh që bashkon vëzhgimet e natyrës, ato historike e kulturore me një vëmendje të posaçme ndaj peizazhit malor dhe sfidave teknike.
Libri përfaqëson një homazh ndaj forcës së natyrës dhe ndaj pasionit për aventurën, duke bashkuar fuqinë e alpinizimit me një ndjeshmëri të thellë kulturore dhe njerëzore.
Dita Ndërkombëtare e Maleve nënvizon rëndësinë e tyre si ekosisteme jetësore që mundësojmë burime ekzistenciale, si uji i pijshëm, biodiversitetin dhe mjetet e jetesës për miliona njerëz. Po ashtu, është një mundësi për t’i kushtuar rëndësi kulturës së maleve, për të promovuar turizmin e përgjegjshëm dhe për të forcuar detyrimet globale për mbrojtjen e këtyre ekosistemeve thelbësore për ekuilibrin e planetit./KultPlus.com