Mali i Tomorit ‘gati’ për të pritur mijëra pelegrinë

19 Gusht, 2024 - 10:05 pm

Festa e Shenjtë e Bektashinjve, e organizuar çdo vit nga 20-25 gusht, mbledh në Teqenë e Kulmakut në malin e Tomorit pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm.

Mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorit, nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që u përkasin. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Kryegjyshi Botëror i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha sot në një dalje për mediet se janë marrë të gjitha masat në shërbim të qytetarëve.

“Kryegjyshata ka marrë masat e duhura këto ditë. Ne gjithë këto kohë të zhvillimit të pelegrinazhit kemi siguruar rrugë automobilistike, kemi siguruar ujë dhe gjëra sanitare për t’i ardhur në ndihmë popullit. Janë marrë masa për të pritur ata në restorante dhe bare, për të bërë çdo gjë që ata të ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre”, tha Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Ai u bën thirrje besimtarëve të tregojnë kujdes të shtuar për masat në përhapjen e zjarrit, teksa ndizen qirinjtë duke pasur parasysh situatën e javës së kaluar ku për shkak të temperaturave të larta mali i Tomorit u përfshi nga flakët.

“Kryegjyshata Botërore ka marrë masa për t’i mbajtur gjallë këto ditë të gëzuara të Abaz Aliut. Lutemi të gjithë besimtarëve që të kenë kujdes me zjarret kur të ndezin qiri. Janë marrë masa edhe për pjekjen e mishit. Pra Kryegjyshata është në ndihmë të njerëzve. Kemi marrë masa që çdo gjë të shkojë me paqe dhe dashuri”, tha Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Sipas gojëdhënave thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomor, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”.

Legjendat e gojëdhënat popullore hedhin dritë mbi frikën, mbi forcën magjike të barnave që përdoreshin për shërimin e sëmundjeve, por shprehin njëkohësisht respekt dhe nderim për Baba Tomorin e për Abaz Alinë. Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda, gojëdhëna. Këtë e vënë re hulumtuesit e ndryshëm./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme