Mali i Tomorit mes turizmit dhe shenjtërisë

7 Gusht, 2020 - 9:05 am

Mali i Tomorit, me një lartësi 2416 metra mbi nivelin e detit është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh.

Mali i Tomorit shtrihet në verilindje të qytetit të Çorovodës, në një largësi rreth 20-25 km dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ka sjellë mbrëmjen e sotme pamje nga mali i Tomorit, që shtrihet në një sipërfaqe prej 4 000 ha dhe kufizohet nga lindja me kufirin verior të Tomorit dhe nga perëndimi me rrugën automobilistike Berat-Skrapar. Në të ndodhet edhe pika më e lartë 2415,7 metra mbi nivelin e detit e cila quhet Çuka Partizane.

Kryeministri Rama, në kuadër të rubrikës “Beautiful Albania” ka publikuar foto piktoreske nga Mali i Tomorit, si ftesë për turistët e huaj dhe vizitorët vendas.

Të katër stinët janë shumë të bukura në këtë park, por veçanërisht dimri me dëborë. Faqja perëndimore e malit është pjesa më e pyllëzuar. Tipike të tij janë pyjet e ahut, të cilët takohen kryesisht në lartësitë 1000-1200 m mbi nivelin e detit dhe pyjet e rrobullit në lartësitë mbi 1600 m. Parku karakterizohet nga një larmishmëri e lartë kafshësh të egra, ku në disa pjesë të pyllit takohet shpesh ariu i murrmë, në afërsi të fshatrave takohen ujku, dhelpra, kunadhja dhe baldosa, ndërsa në rrethinat e pyllit dhe afër tokave bujqësore derri i egër, lepuri i egër etj.

Për të arritur në malin e Tomorit shfrytëzohen 2 rrugë: rruga e shkurtër Pronovik – Mali i Tomorit me gjatësi 10 km dhe aksi tjetër Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorit me gjatësi 25 km. Në lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit, gjenden Tyrbja e Abaz Aliut, i cili konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fundgushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të festës, ai vizitohet edhe nga shumë njerëz të besimeve të ndryshme.

Gjithashtu, nga të apasionuarit e natyrës organizohen gjatë vitit në malin e Tomorit hiking, ski, dhe shumë sporte të tjerë. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme