16 Janar, 2025 - 1:41 pm
Ekspertët britanikë të udhëtimeve kanë sugjeruar destinacionet kryesore të pushimeve për vitin 2025 me fluturime direkte nga Aeroporti i Mançesterit, shkruan Liv Clarke në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Manchester Evening News”.
Nga Shqipëria, e cila është quajtur “Kroacia e re” deri në Egjipt, ekspertët e udhëtimeve kanë zgjedhur destinacionet më të mira nga e gjithë bota për t’u vizituar këtë vit.
“Destinations: The Holiday & Travel Show”, një event ku do të ekspozohen të gjitha destinacionet kryesore të rekomanduara për vitin 2025 – që do të zhvillohet në Manchester Central nga 16 deri më 19 janar dhe në Londër nga 30 janari deri më 2 shkurt – është një domosdoshmëri për këdo që planifikon pushime, qoftë ky një udhëtim i vetëm apo aventurë një herë në jetë.
“Janari është koha e përkryer për të planifikuar pushimet tuaja në 2025 dhe kushdo mund të bëjë zgjedhjen e vet me përvojën e pasur të ekspozuesve tanë që shfaqin ofertat dhe idetë e tyre më të mira çdo vit”, tha Ben Myatt, menaxheri i ekspozitës.
“Në 30 vite eksperiencë dhe punë – kemi parë një ndryshim të madh – nga rritja e numrit të udhëtimeve – te pushuesit që po priren më shumë drejt vendeve më pak të njohura dhe që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv – dhe rritja e tendencave të tilla si udhëtime me përvojë – dhe ndjenja e përgjithshme vizitorëve për t’u zhytur në kulturat e vendeve dhe të mësojnë rreth tyre”, shtoi ai.
Shqipëria
“Për një periudhë kohe Shqipëria është quajtur “Kroacia e re” dhe sigurisht që ky vend i bukur mesdhetar ka një peizazh dhe vijë bregdetare mahnitëse dhe ushqim te shijshëm, por ka edhe hijeshinë e tij unike – për të mos përmendur që nuk ka turma të mëdha vizitorësh dhe çmimet janë më të ulëta!”, tha ekspertja e udhëtimeve të “Explore Worldwide”, Caroline Phillip.
“Shqipëria duket se ka tërhequr interesin e turistëve në mbarë botën – falë bukurisë së saj natyrore, plazheve të pacënuara dhe përballueshmërisë”, tha Michael Edwards nga “Explore Worldwide”.
Rezervimet për në Shqipëri janë rritur 68 për qind në gjashtë muajt e fundit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me turne që përfshijnë itinerare për ecje dhe çiklizëm – që promovohen veçanërisht fuqishëm.
Destinacionet më të mira për t’u vizituar në 2025 – të cilat ofrohen me fluturime direkte nga Aeroporti i Mançesterit:
Shqipëri
Indi
Mali i Zi
Kanada, Toronto
Finlandë
Skoci
Greqi, Athinë
Karaibe
Egjipti
Arabia Saudite./atsh/KultPlus.com