19 Mars, 2021 - 2:54 pm
“Manifesta” është një nga ngjarjet më të mëdha artistike në Evropë, e cila në ditën e sotme ka prezantuar programin e saj për Prishtinën, event ky që u mbajt në Kino Armata, shkruan KultPlus.
E planifikuar të hapet në vjeshtën e vitit 2022, “Manifesta 14” është ftuar nga Komuna e Prishtinës të zhvillojë së bashku me qytetarët një sërë projektesh dinamike kulturore të qëndrueshme. Bazuar në një model të bashkëpunimit ndër-rajonal, dhe duke ndërlidhur planifikim urban, ndërtimin e komunitetit, artin dhe kulturën bashkëkohore, Manifesta 14 Prishtina synon që të krijojë një kornizë për realizimin e projekteve ndërdisiplinore përmes angazhimit qytetar.
Lidhur me rëndësinë e kësaj çështjeje dhe për planet e ”Manifesta 14 Prishtina” sot kanë folur para audiencës Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës- Adrian Berisha, Kryetari i Komunës së Prishtinës – Shpend Ahmeti, Hedwing Fijen – Drejtore e Manifestës dhe Yana Klichyk.
Të pranishmit në Kino Armata dhe ata që kanë pasur mundësi të ndjekin këtë takim online u njoftuan për rrjedhën e projekteve të “Manifesta 14”, përzgjedhjen e lokacioneve në qytetin e Prishtinës, duke theksuar çdo herë rëndësinë për rritjen e numrit të vizitorëve në vendin tonë, hulumtimin shumështresor, hartëzimin e komuniteteve lokale etj.
Sipas panelistëve, qëllimi i këtij edicioni të “Manifestës” është t’i shërbejë të gjithë komunitetit dhe të krijojë një trashëgimi afatgjatë përmes përforcimit të ekosistemit artistik si dhe për të rimarrë premtimin qytetar për politikat kulturore më gjithëpërfshirëse.
Kosova gjegjësisht Prishtina do të jetë nikoqire e “Manifestas” e cila është pothuajse Bienalja e vetme e cila ka ndodhur në Gadishullin Ballkanik dhe njëra nga Bienalet më të rëndësishme të kulturës ka pohuar Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka theksuar rolin e “Manifestës” për rritjen e diskutimeve në fushën e planifikimit.
“Është hera e parë që një institucion publik ka arritur të blej Fabrikën e tullave të Prishtinës e cila pritet të përdoret nga “Manifesta” për të zvogëluar pabarazinë në qytet dhe thjesht për ta ndërruar diskursin e planifikimit të qytetit nga fokusi i pronës private në pronë publike dhe e përbashkët.”
Ai gjithashtu shtoi se presin që “Manifesta” të përdoret në atë mënyrë ku do të mbizotërojnë të mirat dhe interesat publike të jenë mbi interesat private.
Pas humbjes së madhe, qoftë ekonomike apo humbjeve tjera të artistëve të cilët hasën një periudhë të vështirë për shkak të situatës pandemike, vetëm disa arritën t’i dalin ballë kësaj situate pa u prekur shumë rëndë.
Por, Manifesta 14 po sjell një rithirrje globale për audiencën në botë, e sidomos në Prishtinë e cila dihet që ka kaluar nëpër disa vështirësi por tani ajo do të kalojë edhe në sifdat e ardhshme të cilat do të rezultojnë në krijimet artistike.
Në mesin e figurave të njohura gjatë këtij prezantimi ishte edhe Hedwig Fijen, drejtore e Manifesta, e vetmja nomade evropiane e cila tanimë punon për projektin e saj të radhës për vitin 2022 në Prishtinë. Projekti përfshinë një program bienal i cila përmban më vete shumë urbanistë, arkitektë, ekologë, dizajnerë socialë, natyrisht në bashkëpunim me artistët dhe punëtorë kreativë.
‘’Ajo që na bënë të lumtur më së shumti është finalizimi i realitetit të ri në çdo qytet që do të investojmë’’, thotë ajo.
Njëri ndër arkitektët e përzgjedhur është edhe italiani Carlo Ratti i cili synon vizionin urban, vizion afatgjatë i cili synon të transformojë hapësirat publike. Modelet e reja të arkitektit janë një destinacion vendimtar për qytetin. Gjithashtu së bashku me arkitektët si ajo boshnjake-holandeze, Arna Mackic dhe arkitektin Lorien Beijaert, do të manifestojnë direksionin e Manifestës. Pritjet e tyre identifikohen në bazë të kulturës dhe artit të qytetit gjithmonë duke mbështetur ekologjinë dhe mjedisin së bashku me problemet që sjellin përgjatë projektit.
“Ne duam të hartojmë, ne nuk duam të formojnë dy tulla dhe të mendojmë se e kuptojmë dhe njohim Prishtinën”, vazhdon tutje Fijen.
Manifesta sapo ka pranuar programin e fondit evropian, afro gjysmë milionë nga BE-ja, për të investiguar me shpejtësi traditën dhe kulturën e qytetit duke reflektuar esencën nga sytë e qytetarëve të Prishtinës ndaj botës. Në perspektivat e hartës e cila përfshin 14 vende në Evropë, në mesin e tyre edhe Kosova e cila po pret me padurim ndryshimin vendimtar me kombinimin e artit kontemporan dhe ekspozitat, me ndihmën e qytetit i cili po drejton Manifestën në atë se çka është e domosdoshme për të ardhmen e qytetit.
Manifesta është e thelluar tërësisht në strukturën e bashkëpunimit demokratik për të operuar në një qasje radikale lokale e cila jo domosdo do të jetë e njëjtë si qytetet në të cilat kanë vepruar. Prandaj metodologjia do të jetë më ndryshe se si një makinë ekspozite dhe do të ketë një qasje me zgjidhje globale. Ka shumë probleme specifike në Prishtinë të cilat duhet të zgjidhen në 2020 duke shënuar një fazë tranzicioni.
Ambicia kryesore e Hedwig Fijen është për të zbuluar alternativa të reja të ëndrrave, dëshirave dhe vizioneve të gjeneratave të reja. Një reputacion i të menduarit përpara në eksperimentet evropiane në Prishtinë edhe pse eksperimentet janë të lejuara për të dështuar.
Hedwig Fijen në mesin e objekteve të shumta, ka zgjedhur edhe objektin e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, një objekt që mendohet të ripërpunohet dhe investohet në të. Qëllim i një institucioni të përhershëm ndërdisiplinor, ku qytetarët mund të rikërkojnë hapësirën e tyre publike. Biblioteka është një monument kulturor dhe do të vazhdojë trashëgiminë e saj.
‘’Normalisht është ideja që Manifesta të grumbullojë sugjerimet e të gjithë qytetarëve për bibliotekën “Hivzi Sylejmani” si një institut i përhershëm por ne nuk mendojmë se jemi gati që tërësisht të rinkonstruktojmë për shkak të hapësirës dhe sistemit operativ të objektit. Por ne së bashku me produksionin dhe organizatat në qytetin e Prishtinës dhe jo vetëm, do të krijojmë një hapësirë simbolike për të identifikuar se si mund të menaxhohet ajo hapësirë në të ardhmen”, thotë Fijen.
Manifesta është mbajtur më parë edhe në shumë qytete të mëdha botërore çka tregon për rëndësinë e këtij evenimenti, ndaj përzgjedhja e kryeqytetit tonë për mbajtjen e kësaj ngjarje në vitin 2022, në mesin e qyteteve të tjera, është një hap i madh për kulturën e vendit tonë. / KultPlus.com