18 Mars, 2021 - 12:00 pm
“Jeta sot duket tejet e paparashikueshme dhe diskursi i tanishëm i mediave shfaq një të ardhme të pasigurt e cila rrezikohet nga polarizimi, çintegrimi, kaosi klimatik dhe pabarazitë e shtuara ekonomike, si dhe nga ndikimi i pandemisë së koronavirusit. Këto beteja për barazi dhe lëvizjet e reja aktiviste e kanë nxitur Manifestën të transformojë mënyrën e saj të punës duke u përqendruar në rezultatet e programit tonë bienal, të cilat ngërthejnë përfshirje më të madhe dhe më të qëndrueshme shoqërore. Kjo do të thotë se ne punojmë me urbanistë, arkitektë, ekologë dhe dizajnerë socialë krahas artistëve dhe punëtorëve kreativë për t’u siguruar se jemi në gjendje ta transformojmë Manifestën në një angazhim më të larmishëm, më përfshirës, më demokratik të zërave dhe komuniteteve lokale me qasje nga poshtë lart, që sinjalet i shndërron në substancë dhe më pas në veprime konkrete”, thotë Hedwig Fijen, Drejtore e Manifesta.
Bienalja Nomade Evropiane Manifesta lindi në fillim të viteve 1990 si përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike e shoqërore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave vijues drejt integrimit evropian. Manifesta është shndërruar në një platformë dialogu mes artit dhe shoqërisë duke ftuar komunitetin kulturor, artistik dhe urban të prodhojë përvoja të reja kreative me kontekstin në të cilin zë fill dhe për të. Manifesta rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe katalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë përmes kulturës bashkëkohore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar.
Përgatitjet për edicionin 14-të të Manifestës janë në zhvillim e sipër në Kosovë. Përkundër kufizimeve aktuale për shkak të pandemisë COVID-19, bienalja ka filluar të punojë edhe si think tank edhe si lehtësues lokal për të krijuar modele alternative për eksplorime qenësore urbanistike, sociale dhe kulturore në shtetin më të ri evropian. Përgjatë historisë së vet 25-vjeçare, bienalja ka bërë kërkime të bujshme të përbërjes së Qyteteve Nikoqire për të krijuar projekte të qëndrueshme dhe relevante ndërdisiplinore. Hulumtimi shumështresor nga poshtë lart merr formë të një vizioni urban, konsultimeve qytetare, të një hartëzimi të komuniteteve lokale si dhe të një vargu punëtorish me opinionistë vendorë për të kuptuar se si Qyteti Nikoqir mund të shërbejë si prototip i një bote në ardhje e sipër. Andaj, qëllimi i Manifestës 14 është të prodhojë projekte të qëndrueshme me qëndrueshmëri më afatgjatë së bashku me infrastrukturën vendore krahas intervenimeve të artit bashkëkohor anembanë qytetit.
Në këtë drejtim, juria e kryesuar nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe Drejtorja e Manifestës, Hedwig Fijen, ka përzgjedhur zyrën arkitekturale në Torino – Carlo Ratti Associati – në bashkëpunim me MIT Senseable City Lab për të zhvilluar vizionin urban të Qytetit të Prishtinës për edicionin e radhës të Manifestës. Vizioni urban funksionon edhe si hulumtim parabienal edhe si vizion afatgjatë për të identifikuar strategji, lokacione dhe tema qenësore për qytetin. Vizioni urban tregon se si do të marrë formë Manifesta 14 Prishtina përbrenda kontekstit lokal, por aspekti më i rëndësishëm është se kërkon të rikrijojë mënyrën se si qyteti i Prishtinës mund të tranformohet ku qytetarët rikërkojnë hapësirat e tyre publike.
“Si nikoqir i Manifestës, ne si Komunë e Prishtinës jemi të lumtur që tashmë kemi nisur të lëvizim për realizimin sa më të mirë të Manifesta 14 në qytetin tonë ku, përveç përzgjedhjes së ekipit të mrekullueshëm të koordinatorëve lokalë të cilët kanë filluar të punojnë tash e disa muaj, kemi zgjedhur edhe arkitektin dhe aktivistin e shquar italian, Carlo Ratti, për të punuar për realizimin e një studimi urban të qytetit tonë me fokus special te Fabrika e Tullave. Komuna e Prishtinës mirëpret ambiciet e Manifestës 14 Prishtinë për krijimin e një pilot modeli të një institucioni të përhershëm ndërdisiplinor në qytetin tonë, dhe jemi të lumtur t’ju njoftojmë se për këtë qëllim kemi përzgjedhur Bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’”, thotë Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës.
“Jo që nuk i ka bërë qytetet të dala mode, por pandemia Covid-19 ka hapur potencial edhe më të madh për rilindje – atë që ekonomisti Joseph Schumpeter e quan “shkatërrim kreativ” në shkallë urbane. Kriza nuk u ka lënë qeverive opsione të tjera përveç përvetësimit të një qasjeje të shpejtë duke mësuar nga gabimet. Inovacionet e jashtëzakonshme për zona pedonale, hapësira publike, banim të përballueshëm, dhe zonim dinamik të cilat kanë dalë në pah flasin për fuqinë e reagimit pozitiv të qytetarëve. Jemi në fillim të një epoke të re të inovacionit urban pjesëmarrës – i cili qëndron në thelbin e asaj që ne duam të eksplorojmë në Prishtinë me Manifestën 14″, shprehet Carlo Ratti, drejtor i MIT Senseable City Lab në Boston dhe themelues i firmës së projektimit dhe inovacionit CRA-Carlo Ratti Associati.
Duke u përputhur me vizionin urban të realizuar nga Carlo Ratti Associati, dhe duke siguruar metodologji nga poshtë lart, pas suksesit të kësaj qasjeje në Manifesta 13 Marseille, Manifesta 14 ka vendosur të zhvillojë punëtori konsultimi me qytetarë nga komunitete të ndryshme në Prishtinë të cilat do të udhëhiqen nga Studio LA, themeluar nga arkitektja boshnjako-holandeze Arna Mačkić dhe arkitekti holandez Lorien Beijaert. Këto punëtori fokusohen te mënyra se si kultura(t) kuptohet dhe praktikohet nga komunitete të ndryshme artistike dhe qytetare. Përveç kësaj, punëtoritë do të identifikojnë agjendën e banorëve në relacion me zhvillimin urban, si dhe politikat socio-kulturore dhe arsimore të qytetit të tyre.
“Dialogu është themeli i një shoqërie përfshirëse. Shoqëria e barabartë, demokratike, nxjerr dobi nga takimet midis njerëzve të ndryshëm me vizione të ndryshme për botën. Ndërveprimi midis qytetarësh të ndryshëm është qenësor në një mjedis të rehatshëm dhe me njëri-tjetrin për të shmagur që qytetarët të përjashtohen nga projekte të zhvillimit urban. Ne besojmë se projektimi i një hapësire publike ka ndikim. Projektimi dhe organizimi i hapësirës për dialog është pjesë e praktikës sonë. Kemi nderin, veçanërisht për shkak të lidhjes sonë me Ballkanin, t’i kontribuojmë realizimit të punëtorive konsultuese me qytetarë në Prishtinë së bashku me Manifesta 14”, potencon Arna Mačkić dhe Lorien Beijaert, bashkëthemelues të Studio L A
Në periudhën e fundit të krizës shëndetësore globale dhe të mbylljes aktuale, për Manifestën ka qenë tejet e rëndësishme t’i rimendojë parimet e saj themelore dhe metodologjinë për t’i dhënë një theks tjetër praktikave më të qëndrueshme artistike si dhe për të demokratizuar modelin kuratorial të prodhimit të njohurive, bashkëkrijimit dhe lidhjes së disiplinave të ndryshme me projekte afatgjata, përmirësime të hapësirave publike dhe ndërtim të komunitetit.
Në fazën e parë të pranisë sonë në Prishtinë – që u shty për shkak të mbylljes – Manifesta 14 në Prishtinë do të hapë zyrat e saj të përkohshme në zemër të kryeqytetit të Kosovës, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve – monument i periudhës së ish-Jugosllavisë. Pallati i Rinisë si projekt arkitektonik dhe si kontributdhënës kulturor i asaj kohe zë vend të veçantë në kujtesën kolektive të qytetarëve të Prishtinës duke ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të kryeqytetit.
Përveç Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Prishtinës ia ka dhënë Manifesta 14 ndërtesën e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” për t’u shfrytëzuar si seli e ardhshme e Manifestës 14 Prishtinë dhe si hapësirë e përhershme institucionale. Ndërtesa e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” është monument i trashëgimisë kulturore i kryeqytetit ndërtuar në vitin 1930 që fillimisht ishte ndërtuar si shtëpi banimi. Më vonë ajo u shndërrua në bibliotekë publike ku shumë breza kujtojnë me nostalgji kohën kur aty huazonin libra.
Përveç projekteve hulumtuese, Manifesta 14 Prishtina po zhvillon një program publik parabienal me një varg partnerësh kulturorë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit i cili do të nisë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në pranverën e vitit 2021. / KultPlus.com