Manifestim i krijimtarisë së Bach-ut, ‘St Mark Passion” interpretohet për herë të parë në Prishtinë

19 Prill, 2025 - 11:55 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e djeshme, Filharmonia e Kosovës shënoi një kapitull të ri kulturor teksa për herë të parë u interpretua vepra enigmatike e Johann Sebastian Bach, “St Mark Passion”, BWV 247.

Kjo vepër, e cila asnjëherë s’është gjetur e plotë, dhe që më vonë është rikonstruktuar nga dirigjenti gjerman Jörn Boysen, erdhi mbrëmë në Prishtinë pikërisht nën drejtimin e tij, duke përçuar një emocion të papërsëritshëm për audiencën, në përkujtim të 340-vjetorit të lindjes së Bach, një prej gjigantëve të muzikës klasike, shkruan KultPlus.

Të pozicionuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u shndërruan në bartës të një përjetimi të rrallë muzikor, duke sjellë për publikun këtë vepër, partitura origjinale e së cilës është humbur. Nën drejtimin e Boysen, “Pasioni i Markut” e cila i përket kohës së barokut, erdhi si një përpunim i rafinuar me mjeshtëri dhe dhuroi emocione për audiencën kosovare.

Në qendër të kësaj mbrëmje qëndronin katër solistë të jashtëzakonshëm. Me zërin e tij të kthjellët dhe të fuqishëm, tenori danez Mathias Monrad Møller i dha jetë rrëfimit, teksa u shfaq në rolin e Evangjelistit, ndërsa basi holandez Wessel van der Ham erdhi në rolin e Krishtit, duke sjellë thellësinë dramatike që kërkon kjo vepër.

Krahas tyre, dy solistet nga Kosova, sopranoja Elona Sadiku dhe mezosopranoja Diellza Sylejmani, shkëlqyen me interpretim të ndjerë, duke dëshmuar për talentin dhe potencialin e artistëve vendas.

Gjithashtu, Orkestrës së Filharmonisë iu bashkuan instrumentistë nga Holanda dhe Hungaria, duke krijuar një ansambël që solli në jetë ngjyrat dhe teksturat autentike të muzikës barok.

“St Mark Passion” BËV 247, është një oratorium i Johann Sebastian Bach që trajton vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezusit, bazuar në Ungjillin sipas Markut. Vepra u interpretua për herë të parë në vitin 1731 në Kishën e Shën Tomasit në Leipzig, por fatkeqësisht, muzika origjinale është humbur. Pavarësisht humbjes së partiturës, muzikologë të ndryshëm kanë bërë përpjekje për ta rindërtuar veprën, duke u bazuar në tekstin e ruajtur dhe në stile të ngjashme me pasionet tjera të Bachut, si “St Mattheë Passion” dhe “St John Passion”.

Dirigjenti Jörn Boysen foli për KultPlus për koncertin, i cili përveç se shpjegoi për rikonstruktimin e kësaj vepre, foli edhe për eksperiencën e tij në Prishtinë.

“Partiturat e kësaj vepre kanë humbur në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk ka pasur kopje të saj, por është teksti ai që ka mbijetuar. Ishte një teknikë për ta plotësuar atë  për ta plotësuar atë duke ia përshtatur portretit të veprs, tekstit dhe atmosferës së muzikës, duke njohur punën e Bach dhe teknikën e tij. Jam shumë i lumtur që kishte kaq shumë audiencë, jam shumë i lumtur që njoha shumë njerëz të mirë dhe muzikantë të shkëlqyer dhe jam gjithashtu i lumtur që bëmë një magji sot”, theksoi Boysen.

Pas përfundimit të koncertit, tenori danez, Mathias Monrad Møller, i cili pasqyroi rolin e Evangjelistit, e përshkruan eksperiencën e tij në Kosovë si një përvojë të jashtëzakonshme.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme që të performoja këtu në Prishtinë, secili ka qenë shumë mikpritës dhe kalova një kohë të mrekullueshme me pjesëtarët e Filharmonisë së kosovës. Sot ndjeva sikur krijova një komunikim me audiencën dhe kjo ishte diçka shumë speciale”, u shpreh ai për KultPlus.

Ndërkaq, mezospopranoja Diellza Sylemani e ka konsideruar këtë vepër tejet të veçantë poer edhe si një ndër veprat më të vështira të muzikës barok.

“Një vepër me të vërtetë e veçantë. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe ta këndoj. Është një ndër veprat më të vështira të muzikës së barokut, gjerësisht të kompozitorit Bach, këtë radhë e përpunuar, e rikonstruktuar prej dirigjentit që ishte sonte. Për mua ishte kënaqësi dhe privilegj të jem në skenë me gjithë këta artistë të mirë që ishin sonte”, tha Sylejmani për KultPlus.

E për sopranon Elona Sadiku, kjo mbrëmje ka qenë shumë e veçantë, duke shënuar edhe paraqitjen e sa të parë me Filharmoninë e Kosovës.

“Për mua kjo natë ishte shumë e veçantë. Njëra ndër to është që unë për herë të parë po interpretoj si soliste me Filharmoninë e Kosovës megjithëse kam kënduar me Korin, por kurrë me Orkestrën. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme me një publik të jashtëzakonshëm. Çfarë e bën akoma më të veçantë këtë natë është vetë dirigjenti dhe kompozitori që e ka përpunuar këtë vetëm të kompozitorit të madh, Bach. I cili përveç se na dirigjoi neve, luajti edhe në instrument”, theksoi Sadiku duke shtuar tutje se ishte kënaqësi për të që të këndojë ariet që janë kompozuar e shkruar aq bukur Ishte kënaqësi t’i këndoja ato arie që i ka shkruar dhe kompozuar në një mënyrë shumë të bukur”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, ju kujtojmë se me këtë mbrëmje të rrallë, Filharmonia e Kosovës shënoi 340-vjetorin e lindjes së Johann Sebastian Bach-ut/KultPlus.com

Të ngjajshme