Maratonë e mundësive konsiderohen Lojërat Parasportive të Kosovës 2024

16 Nëntor, 2024 - 5:45 pm

Në Vushtrri nisën sot Lojërat Parasportive të Kosovës të organizuara nga Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK). Këto gara të nivelit vendor u konsideruan si maratonë e mundësive për personat me aftësi të kufizuara. 

“Kjo ditë simbolizon shumë më tepër sesa një garë sportive. Është një dëshmi e forcës, kurajos dhe shpirtit të pathyeshëm të paraatletëve tanë, të cilët na frymëzojnë çdo ditë me përkushtimin dhe talentin e tyre të jashtëzakonshëm”, theksoi Njomza Emini në fjalën e saj hyrëse. Ajo falënderoi të gjithë ata që punuan dhe kontributojnë në vazhdimësi për lëvizjen paralimpike.

Për rëndësinë e lojërave dhe punën e KPK-së foli edhe komandanti i KFOR-it për Kosovë, Enrico Barudani. “E di që fjala kyçe e Komitetit Paralimpik të Kosovës është gjithëpërfshirja. Ajo nënkupton kohezion dhe unitet. Uniteti dhe kohezioni i njejtë janë të mishëruara edhe në misionin e KFOR-it të Kosovës, të cilin unë e komandoj” tha Barudani, teksa përgëzoi Komitetin për organizimin.

Ndërsa, drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari tha se ky institucion me mburrje vazhdon të përkrah aktivitetet e Komitetit Paralimpik, edhe për vetë faktin që parasportistët janë pjesë vitale e shoqërisë dhe të barabartë në secilën fushë.

Të pranishmëve në këtë ngjarje iu drejtua edhe “djali i historisë”, Grevist Bytyqi. Si pionier i Kosovës në Lojërat Paralimpike Botërore, Grevisti shprehu falënderimin e tij për KPK-në, ndërkaq shprehu optimizmin e tij që në të ardhmen do t’i sigurojë Kosovës një medalje paralimpike.

Për rëndësinë e lojërave dhe qëndrueshmërinë e lëvizjes paralimpike në Kosovë foli edhe Zoran Mitrevski nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Ai vlerësoi lartë punën dhe përkushtimi ne KPK-së për avancimin e parasportit në vend. 

Para nisjes së lojërave u bë edhe nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet KFOR-it dhe KPK-së, për dhurimin e një karroce paraatletike Wolturnus, si donacion i misionit të KFOR-it për paraatletët në Kosovë.

Për dy ditë me radhë, parasportistët do të zhvillojnë gara në disiplina si vrapimi me karrocë, golballi për të verbër, xhudo, basketbolli në karroca, volejboll të ulur, tenis me karroca dhe paraboqa.

Lojërat Parasportive të Kosovës janë ngjarje që organizohen nga Komiteti Paralimpik i Kosoës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të partnerëve të tjerë./ KultPlus.com

Të ngjajshme